“Të harrojmë idealin politik”, Kryemadhi me apel të fortë: Të sakrifikojmë çdo gjë, edhe jetën

Shqipëria

“Të harrojmë idealin politik”, Kryemadhi me apel të fortë: Të sakrifikojmë çdo gjë, edhe jetën

Më: 12 janar 2019 Në ora: 13:30
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi

Në nisje të fjalës ajo ka falënderuar gjithë ata studentë që i dhanë vendit shpresën e madhe se bashkë mund të fitohet, sipas saj, jo politikisht, por patriotikisht.

Sipas saj, partia qe drejton që e ka emrin LSI është ajo parti politike, “e cila në asnjë moment nuk do të tradhtojnë gjakun e mijëra burrave dhe grave që dhanë për Shqipërinë tonë të pavarur dhe krenare”.

Kryemadhi ka garantuar se “Kjo parti s’do të tradhtojë kurrë flamurin që valëvitet krenar dhe që qeveria e krimit kërkon t’i uli kokën. Ju qe keni këtu, japim fjalën sot në emër të LSI, votuesve tanë që ne nuk tradhtojmë Shqipërinë, vendin tonë”.

“Sot vendi ka një nga momentet e tij më të vështira, prandaj ne duhet të harrojmë idealin politik, sot e vetmja ideologji që duhet të qarkullojë, jo vetëm në LSI, por në gjithë klasën politike është vetëm një Shqipëria është shtëpia jone, atdheu, familja që duhet të kujdesemi si kujdesemi për shtëpinë tonë. Them sot një përkrahje të madhe për studentët që na dhanë dinjitet, shpresë, por mbi të gjitha na dhanë besim që të bashkuar do të fitojmë, jo politikisht, por për të fituar patriotikisht se sot është në diskutim cështja e vendit. Duhet të sakrifikojmë cdo gjë, edhe jetën, se cdo prind e jep jetën për të ardhmen e sigurtë të fëmijëve të tij. Ju e dini shumë mirë se Shqipërisë iu premtuan 300 mijë vende pune, nuk pamë, por pamë mbi 400 mijë shqiptarë të larguar, por mijëra biznese të mbyllura dhe falimentuara, lot nënash që qanin se nuk kishin mundësi të ushqenin fëmijët”- tha ajo.

Pasi ka numeruar gjithe premtimet e genjeshterta te Rames, Kryemadhi beri thirrje per bashkim te shqiptareve per interesin kombetar, tej dallimeve politike.

“Shtëpia e shqiptarëve është Shqipëria. Për të ndërtuar integritetin e vendit tonë, ky është misioni i të rinjve dhe të rejave. Ky është misioni jonë dhe i nënave shqiptare për të zgjuar atdhedashurinë tek vendi ynë. E ardhmja e Shqipërisë janë ata studentë, ata të rinj. Shqipëria është ajo që kemi më shumë nevojë. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë për besim, për lëvizje. Ashtu siç kemi dhe emrin, LSI. Le të kthehemi Lëvizja Socialiste për Integritet. I japim dorën çdo socialisti dhe demokrati, ballisti dhe komunisti, pa parti. Ky uzurpim ka një rrugë për ta ndaluar, bashkimi në rrëzimin e tij. Ne do të marrin përsipër çdo sfidë. Në emër të atyre djemve dhe vajzave, unë besoj se Shqipëria ka të ardhme. I lutem Zotit për mëkatet tona, ndaj kësaj të keqe që na ka pushtuar”, tha ajo.

Projekt Rezoluta e LSI-së

Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet politiko- sociale në vend dhe:

Duke qënë se Shqipëria ndodhet para një sfide madhore si ajo e Çeljes së bisedimeve për anëtarësim në Qershorin e 2019-ës;

Duke qënë se prioriteti kryesor është vazhdimësia e reformës në drejtësi me transparencë dhe gjithëpërfshirje, nën frymën konsensuale të 21-22 Korrikut 2016;

Duke qënë se dialogu politik është i minuar dhe duke patur parasysh nevojën e jashtëzakonshme për bashkëpunim dhe konstruktivitet;

Duke qënë se kemi një nevojë emergjente të kryejmë një luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit;

Duke qënë se konstatojmë me shqetësim largimin masiv të të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë, si pasojë e humbjes së shpresës dhe mungesës së aksesit në arsim dhe punësim, duke mos e parë më Shqipërinë si shtëpinë e tyre;

Duke qënë se situata e vështirë ekonomike në Shqipëri ka mbërthyer çdo familje shqiptare dhe kjo vërehet edhe në revoltën popullore të shprehur në protestat e njëpasnjëshme që kanë mbërthyer vendin;

Duke qënë se klima e biznesit në vend është e rënduar nga politika e taksave të larta, gjobave dhe monopoleve, duke bërë të pamundur mbijetësën e biznesit të vogël dhe të mesëm por edhe duke krijuar një ambjent të papërshtatshëm për investimet e huaja;

Duke qënë se reforma zgjedhore dhe gjetja e një mekanizmi efikas për parandalimin e shitblerjes së votës është jetik për funksionimin e demokracisë dhe legjitimimin e institucioneve në vend;

Duke qënë se Shqipëria do të shkojë drejt zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019;

Lëvizja Socialiste për Integrim zotohet se:

Do të japë gjithë kontributin e saj që Shqipëria të mos mbetet pas në rrugëtimin e saj europian dhe që Qershori të jetë muaji i çeljes së negociatave për anëtarësim. Ne jemi të bindur se kjo është e vetmja rrugë që vendi të kuadratohet dhe të fundksionojë brenda kornizës së ligjeve dhe rregullave si çdo vend tjetër demokratik.

Ne kemi qënë dhe mbetemi promotorët dhe mbështetësit më seriozë të reformës në drejtësi, ndaj dhe nuk do të lejojmë kapjen e reformës dhe deformimin e ndryshimeve kushtetuese konsensuale të Korrikut 2016. Krijimi i shtetit të se drejtës është një kusht jo vetëm për proçesin e integrimit europian, por edhe të një jete me dinjitet për çdo qytetar shqiptar.

Do të jemi konstruktiv në çdo çështje me ndjeshmëri të lartë nga qytetarët si dhe për çdo iniciativë ligjore që do ta përafronte Shqipërinë me Bashkimin Europian.

Prioriteti ynë madhor është të bëjmë Shqipërinë vendin ku shqiptarët ndihen si në shtëpinë e tyre sërish dhe të frenojmë në mënyrë emergjente largimin e të rinjve dhe qytetarëve nga vendi.

Mbështetje politikave fiskale që ulin taksat në funksion të hapjes së më shumë vendeve të punës.

Ne do të mbështesim çdo reformë zgjedhore që i jep zgjidhje fenomenit ë shitblerjes së votës dhe që garanton votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.

LSI po refomohet së brendshmi duke mësuar nga gabimet tona. Në zgjedhjet e ardhshme ne do te implementojmë një proces vettingu të kandidatëve, në mënyrë që secili nga kandidatët të plotësojë standarte të larta ku edhe do të firmosi një premtim publik për të emëruar vetëm njerëz të kualifikuar në administratën publike, duke qëndruar larg përkatësive partiake.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat