Studentët e ngujuar të ekonomikut dalin në deklaratë, një mesazh shkon për Ramën

Shqipëria

Studentët e ngujuar të ekonomikut dalin në deklaratë, një mesazh shkon për Ramën

Më: 13 janar 2019 Në ora: 11:59
Studentët

Studentët e ngujuar në fakultetin Ekonomik në Tiranë kanë dalë në një deklaratë të tyren për median ku hedhin poshtë akuzat e bëra nga maxhoranca se ata ndodhen në protestë për shkak të afiliacioneve politike.

Njëra ndër studentet që e ka gdhirë në ambientet e fakultetit i është drejtuar më një letër opinionit publik e veçanërisht akuzave të qeverisë se kemi të bëjmë me një “çetë politike”, ashtu siç e cilësoi kryeministri.

Ndërkohë në lidhje me qëndrimin që do të mbajnë më tej, studentët janë shprehur se do të kryejnë një mbledhje në orën 18:00 të pasdites dhe më pas do të vendosin.

Më poshtë deklarata e studentëve:

Të nderuar studentë, familjarë, intelektualë dhe palaçot e shoqërisë shqiptare. Një herë të vetme në jetën tuaj mos përbaltni dëshirat tona të mira për këtë vend. Nëse mendoni se jemi partiak, atëherë në djall shkofshi edhe ju me to, pasi nuk kemi pranuar asnjë politikanë dhe nuk do të pranojmë sepse sot jemi vetëm opozita e munguar dhe jemi pozita që duhet. Gjithmonë kemi besuar se arsimi është thelbi drejt lirisë së mendimit dhe një të ardhme më të mirë. Jemi bërë një popull pa shtyllë kurrizore në mendim, pa arsye në arsyetim, me frikën e shprehjes në lirinë e stisur. 

Çfarë ndodhi në dhjetor? Një frymë studentore e nxitur nga zjarri i të ndjerit të papërfaqësuar, të pavlerësuar dhe i papunësuar dhe tani pas një muaji, janari do të na gjente me më dinjitet. Por sot, jemi akoma të papërfaqësuar. 

Jemi këtu sepse mendojmë se kjo shkollë të vetmen gjë që ka është infrastruktura e mendimit idealist. 

Kemi dëgjuar lloj-lloj sulmesh që synojnë përbaltjen e kësaj lëvizje të pastër. Disa nga ne dolën partiakë, disa si pjesë të organizatave të pa organizuara dhe në fund si një grup huliganësh. 

Ju lutem, mjaft na përbaltët sepse dielli i shpresës do të shkëlqejë edhe përmes reve të keqinformimit. Mos harroni, se në histori do të ketë një qoshe të errët për të gjithë ata që nuk bënë asgjë për Shqipërinë. Edhe në qoftë se kemi gabime më mirë të protestojmë dhe të shohim të rinjtë që ikin rrugëve të botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat