Mosdekretimi i Cakajt, Balla: Presidenti po sillet si kryetar alternativ i opozitës

Shqipëria

Mosdekretimi i Cakajt, Balla: Presidenti po sillet si kryetar alternativ i opozitës

Më: 14 janar 2019 Në ora: 18:02
Taulant Balla

Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka komentuar qëndrimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt në pozicionin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe marrjen përkohësisht të  këtij pozicioni nga Kryeministri Edi Rama.

I ftuar në një studio televizive, Balla theksoi se zgjedhje a Kryeministrit në këtë pozicion është i përkohshëm, duke e cilësuar mosdekretimin e Cakajt si një shkelje kushtetuese nga ana e Metës. Balla u shpreh se Presidenti po sillet si një kryetar alternativ i opozitës.

“Kjo është një zgjidhje e përkohshme derisa këtij debati në aspektin e një procedure të shkelur disa herë nga presidenti, pro do marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Deri në vendimin e  Gjykatës Kryeministri do jetë ministër i jashtëm dhe Gent Cakaj do jetë zv.ministër i jashtëm. Konstatoj me keqardhje se Presidenti ka hyrë në një turravrap që sa më shumë shkelje kushtetuese të bëjë. Presidenti e di fare mirë se ministri i shkarkuar qëndron në detyrë deri në marrjen e detyrës nga ministri tjetër. Presidenti i Republikës ka bërë 4-5 shkelje kushtuese radhë dhe ka hyrë në një garë me veten për të bërë sa më shumë shkelje kushtetuese do të bëjë edhe për gjërat që nuk kanë diskutim. Të drejtën e zëvendësimit të anëtarëve të kabinetit nuk e ka pasur kurrë Presidenti. Kujtoj këtu, madje edhe Komisioni i Venecias ku ka shpjeguar një rast t ngjashëm dhe ka qenë shumë i qartë në këtë pikë, që Presidentët në Republikat Parlamentare nuk kanë asnjë kompetencë në këtë aspekt. Por ajo që dua të them është se, ne nuk kemi kohë për të humbur as me Ilir Metën që ka zbritur në fushën e betejës politike për të qenë një kryetar alternativ i opozitës. Është më shumë prezent në opozitë Presidenti, sesa kryetari i opozitës. Kabineti i ri do marrë votëbesimin në ditët në vijim dhe puna do vijojë sipas programit. Por përgjigja do jepet në Parlament për mosdekretimet”- tha Balla.

Ashtu si në rastin e Lleshajt, Balla bëri me dije se Presidenti i Republikës nuk ka asnjë të drejtë që të refuzojë emërimet dhe sipas tij debati “Cakaj” do të rezultojë një fllusk sapuni.

“Presidenti nuk e ka aspak të drejtën e refuzimit por ka detyrën në cilësinë e kryetarit të shtetit që t’ja kalojë autoritetit më të lartë ligjvënës dhe presidenti i Republikës, i cili është një autoritet që zgjidhet nga parlamenti në asnjë rast nuk mund t’i heqë të drejtën parlamentit për të qenë autoriteti më i lartë. Nëse ka rezerva ia referon Kuvendit. Ishte apo jo zoti Cakaj, në rast tjetër do gjente diçka tjetër për të thënë që nuk plotësonte kriteret. Ju e patë në rastin e zotit Lleshaj. E gjithë tymnaja rezultoi në fluskë sapuni. Të jeni të sigurt se edhe e gjithë kjo tymnajë në kurriz të një djali të shkëlqyer do rezultojë flluskë sapuni”- tha Balla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat