Shtyrja e seancës gjyqësore, Balla: Beteja kundër shpifjes vazhdon

Shqipëria

Shtyrja e seancës gjyqësore, Balla: Beteja kundër shpifjes vazhdon

Më: 14 janar 2019 Në ora: 18:57
Tiranë

Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas shtyrjes në 21 janar të seancës gjyqësore mes tij dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

I pyetur nga mediet për qëndrimin e Prokurorisë rreth kësaj çështjeje, Balla theksoi se beteja kundër shpifjes vazhdon.

“Nëse akuza të këtij niveli do të quheshin opinione në këtë vend, do t’i jepnim shfrenim çdolloj akuze pa kuptim, megjithatë është Gjykata ajo që duhet ta rregullojë këtë. Beteja me shpifjen vijon! Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se ky gjyq, sikurse ju e keni ndjekur, ka qenë një shembull i qartë se si një shpifës si Lulzim Basha, jo vetëm që nuk mori guximin apo detyrën për të mbrojtur akuzat vetë në Gjykatë, por u përpoq që të përdorte si argument për shpifjet, kallëzimin dhe padinë tonë. Ky është shembull i qartë, që mbështet kërkesën tonë për dënimin e të akuzuarit Lulzim Basha dhe mezi presim që, siç u përmend edhe në gjykim, vlera e dënimit të tij të shkojë në fondin për arsimin që ne kemi për sa i përket ndërtimit të një kopshti apo çerdheje”, theksoi Balla.

I pyetur rreth mungesës së kreut të opozitës në seancat gjyqësore, Balla theksoi se ky i fundit është shembulli më i keq i një politikani, duke i bërë thirrje prokurorisë që të mbyllë hetimet sa më shpejt.

“Është në dinjitetin e një politikani kur ka përballë një politikan tjetër, që nëse ka bërë disa akuza minimalisht duhet të jetë i pranishëm vetë. Në fund të fundit Lulzim Basha është për fat të keq kryetar i Partisë Demokratike dhe për mua të qëndrojë aty sa të ketë jetë.

Ajo që dua të them është se Lulzim Basha është shembulli më i keq i një politikani. Kur bën një akuzë duhet të vijë ta mbrojë atje ku jepet drejtësia për atë akuzë.

Thirrja ime ndaj Prokurorisë për çështjen në fjalë është që hetimet të mbyllen sa më shpejt. Edhe qytetarët presin që Prokuroria të mos e vazhdojë më këtë histori dhe lojën e vjetër që i mban dosjet me muaj e vite pa gjetur fajtorët dhe pa i çuar ata prapa hekurave”, – përfundoi Balla.

Kreu i grupit të PS, përcaktojë qartë edhe destinacionin se çfarë do të bëhet me paratë, nëse gjyqi do të shkojë në favor të tij.

“Ju e dini që vlera është e përcaktuar, varjon nga 300 mijë lekë deri në 1 milion e 500 mijë lekë të reja. Të gjitha paratë do shkojnë për fondin e posaçëm nga të ardhurat nga shpifjet për ndërtimin e kopshteve, çerdheve, ku të na jepet mundësia”, – vijoi Balla.

Prokuroria e Tiranës ka shtyrë seancën gjyqësore mes Ballës dhe Bashës për në datën 21 janar, ku avokatët e deputetit të PS, Taulant Balla kërkuan deklarimin fajtor të kryedemokratit dhe dënimin e tij për “shpifje”. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat