A do ta dekretojë Meta Ramën si Ministër të Jashtëm? Flet për herë të parë Presidenti - Bota Sot
A do ta dekretojë Meta Ramën si Ministër të Jashtëm? Flet për herë të parë Presidenti

Shqipëria

A do ta dekretojë Meta Ramën si Ministër të Jashtëm? Flet për herë të parë Presidenti

Më: 14 janar 2019 Në ora: 22:11
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka folur për herë të parë në lidhje me vendimin e Ramës për të marrë i vetëm postin e kryediplomatit të Shqipërisë.

Në një intervistë për Fevziun në Opinion, Meta është shprehur se kërkesa është protokolluar dhe se atij personalisht do t’i duhet një kohë e nevojshme për të dhënë një vendim të përgjegjshëm dhe Kushtetues.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Që prej tri-katër ditësh jeni në qendër të vëmendjes me kryeministrin e Shqipërisë, madje ditën e premte ai ka qenë agresiv me ju, duke ju konsideruar një lloj zgjatimi, po e quaj, apo çizmeje e opozitës shqiptare. Në fakt sot kryeministri ka deklaruar se do të marrë vetë përsipër postin e ministrit të Jashtëm. Ky është lajmi më i fundit. Çfarë qëndrimi keni?

Presidenti Meta: Është një lajm i freskët dhe mesa jam në dijeni, pak më parë ka mbërritur apo është protokolluar një propozim i tillë, për të cilin natyrisht që më duhet një kohë e mjaftueshme për t’u këshilluar dhe për të dhënë një vlerësim të plotë.

Gazetari: Ç’do të thotë një kohë e mjaftueshme, zoti President? Për çfarë do të këshilloheni ju për Edi Ramën?

Presidenti Meta: Besoj se kohë e mjaftueshme do të thotë që çdo veprim të bëhet me përgjegjshmëri, duke respektuar Kushtetutën dhe duke marrë në konsideratë çdo kërkesë të vetë Kushtetutës.

Gazetari: A do të përdoren kriteret që janë përdorur edhe në rastin e Cakajt për Ramën? Që do të thotë, a do të shihet edhe përmbajtja e deklaratave të tij lidhur me qëndrimin për shembull ndaj shkëmbimit të territoreve, idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë dhe qëndrimi i diplomacisë shqiptare në këtë drejtim?

Presidenti Meta: Jua thashë edhe një herë që një kërkesë e tillë sapo është depozituar dhe do të kërkojë kohën e saj. Dhe përgjigjja do të jetë tepër e përgjegjshme, por edhe transparente.

Së dyti, nuk mund të bëjmë një paralelizëm të rastit të kandidatit të mëparshëm me kandidatin e vetëpropozuar, për arsye se në rastin e dytë kemi të bëjmë me një figurë të njohur politike, ndërsa në rastin e parë kishim të bënim me një figurë tërësisht të panjohur deri më sot, të paktën për mua si President i Republikës, por kam përshtypjen edhe në tërësi për opinionin publik.

Gazetari: Që do të thotë zoti Meta, se ju do t’i përgjigjeni ‘po’, pra do ta dekretoni Ramën si ministër të Jashtëm?

Presidenti Meta: Që do të thotë se do të më duhet kohë për të dhënë një përgjigje të qartë, të plotë dhe shteruese.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...