Pas një viti sorollatje, pajiset me matës për energjinë elektrike

Shqipëria

Pas një viti sorollatje, pajiset me matës për energjinë elektrike

Më: 16 janar 2019 Në ora: 11:07
Foto ilustrim

Pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes një qytetar nga fshati Frakull i Fierit u pajis me matës për energjinë elektrike, pas një viti sorollatjeje.

Avni Kalaj u drejtua në platformën e bashkëqeverisjes për vëllain e tij Qerim Kalaj, i cili punon në Greqi, por që kthehet gjatë pushimeve sezonale në banesën e tij në Frakull në Fier.

Që nga tetori i 2017 mungonte energjia elektrike kjo për arsye se matësi ishte djegur dhe ishte jashtë funksionimit. Në dhjetor 2017 Kalaj i drejtohet zyrës së Kujdesit ndaj Klientit pranë OSHEE-së për të kërkuar zëvendësimin e matësit.

Në këto kushte pasi u sorollat Kalaj u drejtua në platformën e bashkëqeverisjes në 5 janar të 2019. Çështja u ndoq me OSHEE, të cilët pasi kryen verifikimet e tyre në terren instaluan matësin.

Në takimin e zhvilluar sot me koordinatorët e bashkëqeverisjes, në Kryeministri, Avni Kalaj, tha se brenda 5 ditëve erdhën dhe vendosën matësin e energjisë.

Kryeministri Edi Rama theksoi se “ky është shembull shumë tipik, faktikisht presioni që ushtron qytetari nëpërmjet platformës për të realizuar të drejtën e vet është maksimal, sepse platforma mundëson komunikimin direkt të çdo qytetari me autoritetin më të lartë , ministrat”.

“Në rastin konkret ka qenë ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës që është marrë me çështjen, pasi menjëherë kërkesa shfaqet në ekranin e punës së ministrit dhe ministri kërkon llogari nga institucionet e varësisë ndërkohë koordinatorja ndjek ecurinë e çështjes.

“Nuk ka asnjë shans që ata që përndryshe shmangen, të shmangen. Ajo që është më rëndësishmja është se fillon hetimi për atë që është përgjegjës. Nëse konstatohet se është përgjegjës për mospërmbushjen e kërkesës ndëshkohet deri në largim nga puna edhe deri në çuarjen në Prokurori në rast se ka elementë të dyshimit se e ka bërë këtë për korrupsion”, tha Rama. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat