Rrëfimi i Klement Balilit: Policia nuk m’u afrua kurrë, kam qenë në shtëpi disa herë

Shqipëria

Rrëfimi i Klement Balilit: Policia nuk m’u afrua kurrë, kam qenë në shtëpi disa herë

Më: 16 janar 2019 Në ora: 21:29
Klement Balili

Klement Balili, personi më i kërkuar në Shqipëri, i cilësuar si Eskobari i Ballkanit ka folur ekskluzivisht për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha vetëm pak orë para arrestimit. Intervista publikohet e plotë në emisionin “Repolitix”.

Ai ka rrëfyer muajt e arratisjes dhe se si i shpëtoi policisë, në 16 operacione. Balili thotë se policia nuk i është afruar asnjëherë vendit ku ai fshihej dhe qëndroi në arrati për 2 vite e tetë muaj.

Teksa pohon se është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë provë që e implikon në trafikun e drogës Balili flet edhe për lidhjet me politikën dhe angazhimin e tij me PD dhe më herët me LSI, parti për të cilën ai thotë se është angazhuar edhe familjarisht.

Klement Balili u shpreh se ka qenë në shtëpinë e tij disa herë për të takuar të afërmit.

Pjesa e parë e intervistës

            Zoti Balili, prej 10 majit të vitit 2016 dhe deri tani që jemi në mesin e janarit të vitit 2019, keni qenë personi më i kërkuar në Republikën e Shqipërisë. Pra, për më shumë se dy vite e gjysmë keni qenë njeriu nr. 1 në listën e të kërkuarve të Shqipërisë. Pse nuk i jeni dorëzuar drejtësisë gjatë kësaj kohe? Për çfarë arsyesh?
Për arsyet se nuk kisha provat e duhura këtu në Shqipëri, përse më akuzonin dhe çështja në momentin e parë u politizua në të dy ekstremet. U bënë shumë akuza të rënda ndaj meje, u quajta “Eskobar”. Dhe normalisht që unë nuk kisha besim.

            Keni qenë ndonjëherë më përpara i ndaluar?
Po. Jam arrestuar në vitin 2006, kam qëndruar 6 muaj dhe jam lëshuar pa asnjë pyetje dhe pa prova.

            Ju thanë se për çfarë ju kishin arrestuar dhe a ju thanë në fund përse ju liruan?
Më arrestuan për një sasi droge (hashash), që ishte kapur në Borsh. Më mbajtën 6 muaj dhe më liruan për mungesë provash, që nuk kisha lidhje.

            Ju jeni akuzuar edhe në atë kohë se keni bashkëpunuar me pjesëtarë brenda Policisë së Shtetit, të përfshirë në trafik të lëndëve narkotike.
Unë nuk kisha lidhje me të gjitha ato akuza që u bënë. Prokuroria nuk gjeti gjë për mua dhe e pushoi çështjen.

            Sigurisht që të jesh i kërkuari nr. 1 në një vend, edhe si Shqipëria, nuk është një gjë e lehtë për t’iu shmangur arrestimit nga policia. Ku keni qëndruar gjatë kësaj kohe?
Rrotull, në vendet me publik të madh, si në Gjirokastër dhe në qytete të tjera të mëdha.

            Asnjëherë gjatë kësaj kohe nuk jeni larguar nga Shqipëria?
Jo, jo, asnjëherë.

            Po si është e mundur që policia në asnjë rast nuk ju ka parë?
Nuk ka koinciduar ndonjëherë përballë meje. Asnjëherë.

            Policia ka deklaruar publikisht se ka bërë një seri operacionesh për arrestimin tuaj.
                  Po, i kam dëgjuar.

         Ka qenë ndonjëherë afër bazës ku keni qëndruar ju?
Fare, asnjëherë.

Po si është e mundur që gjatë gjithë kësaj kohe, pra ju të keni qëndruar në Shqipëri dhe asnjëherë policia nuk ka qenë e aftë as që t’i afrohet vendit ku ju keni qëndruar?
Aty ku kam qëndruar unë nuk ka ardhur ndonjëherë policia. Dhe as nuk ka pasur ndonjëherë mundësinë që të afrohej.

Gjatë kësaj kohe që keni qenë në kërkim sigurisht që është një gjë e vështirë sepse nuk është e lehtë që të lëvizësh, ka shpenzime, ka kosto, ndërkohë ka edhe një merak tjetër sepse dëshiron që të dish se çfarë ndodh me familjen tënde. Si ia keni dalë që t’i shmangeni të gjitha këtyre operacioneve të organizuara nga Policia e Shtetit?
Policia kërkonte vetëm në shtëpinë time, në fshat. Normale që unë nuk mund të rrija në fshat.

            Gjatë kësaj kohe, keni ardhur ndonjëherë në banesë për t’u interesuar për familjarët tuaj?
Po, kam ardhur.

            Policia nuk arriti asnjëherë që ta identifikonte këtë?
Jo, asnjëherë. Kam ardhur dhe kam ikur.

            Si i keni mbajtur kontaktet me familjarët?
Me vështirësi.

            Keni ndjerë ndonjëherë rrezik se dikush, njeri i afërt që mund të ketë qëndruar me ju gjatë kësaj kohe, edhe mund t’ju dekonspironte te policia për shkak të shpërblimit prej 100 milionë lekësh, që ka qenë vënë?
Jo, jo.

            Nga e mësuat lajmin që ishit shpallur “Eskobari i Ballkanit”?
Nga media. Unë edhe kur e dëgjova në media, bëra një intervistë te puna ime. Atëherë lëvizja i lirshëm, nuk më kërkonte njeri. 6 muajt e parë nuk më ngacmonte njeri.

            Pra, nga maji deri në nëntor ju keni qenë i lirë?
Po, i lirë.

            Keni jetuar normalisht?
Normal, po. Dilja çdo ditë në qytet. Isha pezulluar nga puna dhe isha i lirshëm.

            Nuk ju kontaktoi ndonjë njeri nga policia, për t’ju thënë që jeni person i kërkuar për shkak të një hetimi në Greqi?
Jo, as edhe një.

            Ju vetë gjatë kësaj kohe, ndjetë rrezik që mund të arrestoheshit?
Po, ndieja rrezik por nuk trembesha. Nuk ruhesha që të fshihesha. Pastaj kur u politizua shumë dhe u bë bujë e madhe, normale që kisha frikë dhe atëherë vendosa që të fshihesha.

            Kur vendosët të largoheshit nga banesa dhe t’i fshiheshit arrestimit nga policia?
Nga fillimi i dhjetorit 2016 u bë një operacion. Unë atë ditë kisha lëvizur nga shtëpia pasdite sepse paradite isha aty. Kur mora vesh se në shtëpinë time kishin shkuar shumë policë dhe kishin bërë kontroll, normale që në atë moment u fsheha.

            Pse e menduat shmangien nga arrestimi, si zgjidhjen më të mirë? Për çfarë motivi?
Për motivin se nuk kisha prova këtu dhe unë mund të qëndroja në burg derisa të vinin provat ose derisa të mbaronte çështja në Greqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat