Bora dhe acari, 8 viktima në Shqipëri nga moti i keq

Shqipëria

Bora dhe acari, 8 viktima në Shqipëri nga moti i keq

Më: 17 janar 2019 Në ora: 07:10
Ilustrim

Tetë viktima është bilanci i të ftohtit në këto dy javë të para të vitit 2019.

Moti i keq dhe temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin tonë në ditët e para të muajit janar kanë shënuar edhe disa vikima në disa qytete.

Viktima e parë është shënuar në fshatin Ravonik të Korçës në datën 5 janar.

55-vjeçari ka humbur jetën kur ka qenë duke lëvizur me biçikletë në rrugën e fshatit.

Vetëm 5 ditë më pas, në datën 10 janar një 60-vjeçar humbi jetën si pasojë e të ftohtit në qytetin e Korçës.

Ilia Lifo u gjet i pajetë në një ndërtesë të braktisur në zonën e ish-Poligonit të Bonifikimit, të cilën e kishte përshtatur si banesë dhe jetonte i vetëm.

Temperaturat e ulëta që përfshinë vendin tonë, shënuan edhe viktimën e tretë në rajonin juglindor.

Në datën 11 janar një 38-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij në qytetin e Pogradecit.

Anastas Shuka vuante nga skizofrenia dhe jetonte i vetëm pas vdekjes së dy prindërve të tij, ndërsa në dhomën ku është gjetur i pajetë mungonte ngrohja.

Në qytetin e Shkodrës, 52 vjeçari Tonin Loci ka humbur jetën pasi u zu poshtë teksa u shemb çatia e një pike karburanti.

Dyshohet se shkak ka qenë rëndesa e dëborës në çati.

Moti i keq shënoi edhe një tjetër viktimë. Gjovalin Qafa, 58 vjeç, ka humbur jetën teksa po punonte për rregullimin e një defekti në linjën e energjisë.

Edhe në kryeqytet është shënuar një viktimë nga i ftohti. 68- vjeçari Hasan Hykja ka ndërruar jetë pranë Urgjencës së QSUT.

Edhe kjo javë ka nisur me viktima të tjera. E hëna shënoi një tjetër viktimë në qytetin bregdetar të Durrësit.

Viktima ishte strukur pranë një strehe të improvizuar për të qëndruar në lagjen numër 4 të qytetit, ndërsa dyshohet se ka disa ditë që ka ndërruar jetë.

Ndërkohë edhe Europa është “gjunjëzuar” para motit të keq, që ka shkaktuar edhe viktima.

Rastet më fatale janë shënuar në Gjermani, Austri dhe Itali.

Mësohet se dy ortekë, lanë të vdekur dy skiatorë gjermanë në malet “Vorarlberg” të Austrisë.

E njëjtë paraqitet situata edhe në rajonin e Bavarisë në Gjermani.

Po në këtë rajon një vajzë humbi jetën nga rrëshqitja e ortekut, ndërsa viktimat nuk kanë munguar as në Alpet italiane.

Autoritetet janë duke vijuar kërkimet, pasi persona të tjerë rezultojnë të zhdukur në Alpe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat