Lihet në burg Klement Balili, avokatët: Nuk ka indicie dhe as prova për akuzat

Shqipëria

Lihet në burg Klement Balili, avokatët: Nuk ka indicie dhe as prova për akuzat

Më: 17 janar 2019 Në ora: 15:42
Klement Balili

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë për Klement Balilin.

I dorëzuar vetëm dy ditë më parë, Balili do të mbahet në burg pa afat, ndërsa ndaj tij rëndojnë katër akuza.

Por avokati Theodhori Sollaku tha në përfundim të seancës se klienti i tij i ka mohuar akuzat.

“Nuk ka as indicie dhe as prova që e implikojnë shtetasin Klement Balili në trafikimin e narkotikëve” – tha shkurtimisht Sollaku para gazetarëve.

Më herët pala mbrojtëse kërkoi një masë sigurie më të lehtë, pasi sipas tyre i akuzuari nuk përbën rrezikshmëri të lartë.

Por gjyqtarja Miliana Muça vendosi arrest me burg.

***

Klement Balili ka dalë sot në orën 14:00 para gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet për t’u njohur me masën e sigurisë.

Seanca po zhvillohet pa praninë e medias ndërsa është lejuar të filmohet vetëm nisja e saj.

Prokuror i dosjes është Eneid Nakuci, ndërsa gjyqtare Miliana Muça. Avokatët e Balilit janë Theodhori Sollaku dhe Baftjar Rusi.

Gjykata sipas të gjitha gjasave nuk ka dyshime që do të vendosë masën burg pa afat për ‘’Escobarin e Ballkanit”, i cili shumë shpejt do të përballet me akuzat e Krimeve të Rënda.

Prokuroria ka ngritur katër akuza për Balilin. Ai do përballet në gjykatë me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrje në Grupin e Strukturuar Kriminal”, “Refuzim për deklarimin e pasurisë” pranë ILDKPI dhe “Pastrim i Produkteve të Veprës penale”.

Klement Balili u dorëzua para dy ditësh tek organet ligjzbatuese pas mbi dy vitesh në arrati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat