Protesta popullore, aleatët e PD-së zbardhin aksionin e opozitës

Shqipëria

Protesta popullore, aleatët e PD-së zbardhin aksionin e opozitës

Më: 17 janar 2019 Në ora: 19:21
Dashamir Shehi

Opozita ka vendosur të largojë qeverinë me protesta popullore. Kryedemokrati Basha e denoncoi kryeministrin Rama edhe në takimin me ministrin e Jashtëm holandez, ndërsa para gazetarëve i dha jehonë vendimit për nisjen e stinës së protestave, por pa u ndalur në detaje…

“Një gjë është e sigurt, që kjo qeveri ka rënë, si para syve të qytetarëve ashtu edhe para syve të Evropës dhe gjithë botës, ndaj rruga e vetme për t’u përballur me të, është rruga e bashkimit të gjithë qytetarëve, për t’i dhënë fund kësaj fasade. Qeveria ka marrë një goditje fatale nga lëvizja studentore dhe duhet të marrë një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar”, deklaroi Basha.

Vendimi u mor bashkë me aleatët një ditë më pare, por protestat nuk do të jetë aksioni i vetëm.

Opozita nuk do të braktisë betejën institucionale ndërsa do të nisë denoncimin edhe në kancelaritë e huaja. Aleatët e demokrateve sigurojnë se opozita nuk do të përsërisë veten…

“Ne jemi kthyer në një sistem putinian, ndaj do të ndjekim çdo rrugë institucionale, protestë, marrëdhënie me qytetarët, marrëdhënie me ndërkombëtarët, për të sqaruar njëherë e mirë që ky vend është nën uzurpimin e një njeriu të vetëm”, tha Mediu.

“Çadra ishte një mjet taktik që e kreu misionin e vet. Besoj që nuk do t’i braktisim institucionet, sepse janë armë për të luftuar Ed Ramën. Do të punojmë për të lëvizur edhe opinionin ndërkombëtar, atë që është këtu, por edhe atë në kancelaritë e botës, Bruksel e Uashington, për t’i njohur me realitetin këtu”, u shpreh Dashamir Shehi.

Të shtunën demokratët pritet të mbledhin Këshillin Kombëtar për të vendosur jo vetëm për kupolën drejtuese të partisë, por për të caktuar datën se kur do marrin udhë protestat popullore./TCh/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat