‘Opozita, protesta brenda janarit’, Shehi kundër Bashës: Jo bojkotit!

Shqipëria

‘Opozita, protesta brenda janarit’, Shehi kundër Bashës: Jo bojkotit!

Më: 18 janar 2019 Në ora: 09:05
Lulzim Basha dhe Dashamir Shehi

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, kreu i LZHK deklaroi dje se opozita do të nisë protestat popullore, me qëllim rrëzimin e qeverisë “Rama 3”. Në këtë kontekst, Shehi bëri me dije se edhe pse nuk është përcaktuar ende një datë se kur do të nisin protestat, sipas tij, ato do të nisin brenda janarit. Në të njëjtën kohë, Shehi zbuloi se me anë të protestave opozita synon që t’i bëjë presion qeverisë dhe në qershor të zhvillohen dy palë zgjedhje, siç janë ato vendore dhe ato parlamentare. Po ashtu, kreu i LZHK theksoi se opozita nuk duhet të bojkotojë Kuvendin, përkundrazi shtoi ai lufta e saj me qeverinë duhet të zhvillohet brenda dhe jashtë Parlamentit. Sa i takon miratimit të reformës zgjedhore, deputeti Shehi u shpreh pesimist për finalizimin e saj.

-Çfarë u diskutua në mbledhjen me Bashën sa i takon aksionit opozitar dhe pse u mor vendimi për protesta popullore?

Së pari në mbledhjen që ne aleatët zhvilluam me kreun e PD, Lulzim Basha, u vendos që ne si opozitë do të shkojmë në protesta, me qëllim rrëzimin e qeverisë. Nuk kemi rrugë tjetër. Të gjithë mbështetëm njëzëri këtë nismë të opozitës. Por nga ana tjetër në mbledhje nuk është vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajë opozita me Kuvendin. Megjithatë për mendimin tim, ne nuk duhet ta braktisim Kuvendin dhe përballjen me qeverinë ta vijojmë si brenda, ashtu edhe jashtë Parlamentit. Kështu që rrëzimi i qeverisë fillon me protesta të mëdhaja, pastaj duke parë e duke bërë. Nga ana tjetër në mbledhjen me Bashën ne nuk kemi përcaktuar një datë se kur do të thërrasim qytetarët në protestë, pasi datën për protestë do ta caktojë zoti Lulzim Basha ditën e shtunë që mbledh Këshillin e vetë Kombëtar. Kjo pasi është protesta e Partisë Demokratike në radhë të parë, pastaj e aleatëve. Por besoj se protesta do të thirret në një datë shumë të afërt, brenda janarit.

-Besoni se protesta do të funksionojë për rrëzimin e Ramës, pasi deri më sot nuk ka pasur rezultate?

Ne jemi në një shtet demokratik dhe ne si opozitë do të përballemi me qeverinë edhe me protesta demokratike, më qëllim rrëzimin e saj. Pasi ne si opozitë mjetet të tjera nuk kemi, kaq mundësi na jep demokracia. Kjo është rruga e opozitës, protesta dhe denoncime, s’ka rrugë tjetër. Ne shpresojmë që këtë vit të kemi dy palë zgjedhje, si vendor ashtu edhe parlamentare. Prandaj ne si opozitë do ta tentojmë, do mobilizojmë njerëzit, maksimalisht aq sa kemi në dorë. Nuk jemi as të parët dhe as të fundit në botë që kërkojmë rrëzimin e qeverisë me protesta. Kështu funksion jo vetëm tek ne por në të gjitha vendet e emancipuara. Në qoftë se do të na përgjigjet populli, që besoj se do të na përgjigjet, unë shikoj ditë më të mira jo thjeshtë për opozitën por për të gjithëshqiptarët.

-Sa i kënaqur jeni me reformën zgjedhore dhe mendoni se do realizohet?

Unë nuk kam asnjë shpresë tek reforma zgjedhore, aq më tepër tek dy partitë e mëdha që drejtojnë Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ne si aleatë, vijojmë të këmbëngulim tek kushtet tona që Basha duhet të na i marrë në konsideratë për reformën zgjedhore. Mos harroni që deri tani nuk është bërë asgjë për reformën zgjedhore. Sigurisht, që miratimi i reformës zgjedhore është domosdoshmëri, duke filluar nga numërimi elektronik. Ne jemi dakord më të gjitha këto, por unë e quaj të pamjaftueshme. Ne jemi përtej kësaj që të shkohet në një ndryshim të sistemit zgjedhor. Por sot për sot, si të thuash janë djegur etapat. Kështu që kjo punë ka kaluar në një hap tjetër që është politik.

-Si i shihni ndryshimet e fundit në qeveri?

Sa i takon ndryshimeve në qeverinë “Rama 3” nuk ia vlen t’i komentoj, pasi emrat e rinj të ministrave janë njerëz anonim dhe të panjohur fare. Të gjithë ministrat e rinj nuk kanë pasur as histori politike, as ndonjë histori profesionale. Zakonisht kur njerëzit hipin në podiumin e qeverisë, hipin për dy motive. E para ka të bëjë me që ose janë politikisht të fortë dhe janë investuar në politik, duke pasur kontribut, duke marrë votëbesimin e popullit, që në këtë rast janë deputetët, histori politike, karrierë politike. Ose janë profesionistë që në fushën e vetë nuk kanë nevojë për politikën, sepse janë dikush dhe e kapërcejnë presionin dhe gardhin politik. Mirëpo, emrat e rinj të ministrave janë disa personazhe të panjohura, jovetëm për mua por besoj për të gjithë qytetarët shqiptarë.

-Si e shikoni përplasjen Qeveri-Presidencë për Ministrinë e Jashtme? Kujt i jepni të drejtë, Ramës apo Metës?

Shiko unë nuk i jap të drejtë në këtë përplasja as presidentit Ilir Meta dhe as kryeministrit Edi Rama. Unë e konsideroj këtë një përleshje, një krehje shumë të panevojshme dhe që është e akumuluar për të dy këta liderë. Për mua ky sherri Meta-Rama është i pavlerë. Sigurisht që propozimet e kryeministrit Edi Rama për emrat e rinj të ministrave janë provokime bizare. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, pasi Partia Socialiste ka mjaftueshëm njerëz dhe politikanë më të ditur, më me eksperiencë, për t’i bërë ministra dhe për të përballuar këtë situatë ku ndodhet vendi. Mos harroni që jemi përpara kryesimit të OSBE, më e rëndësishmja është çështja me Greqinë, pakti detar, jemi përpara çështjeve të integrimit. Kështu që në pozicionet kyçe duhen ministra të fushës së politikës. Politika dhe qeveria kanë nevojë për kostum, jo për dekolte.

-Keni një koment për lëvizjen e Ramës për të marrë vetë drejtimin e Ministrisë së Jashtme?

Besoj se në këtë aspekt, kryeministri Edi Rama ka bërë një lëvizje të duhur politike, duke marrë vetë drejtimin e Ministrisë së Jashtme, se sa ato që ka bërë të tjera. Besoj se ai duhet të dekretohet nga Meta. Por brenda logjikës institucionale, ligjore dhe kushtetuese, nuk jam i zoti të përgjigjem dhe të interpretoj lëvizjen e Ramës. Kështu që në momentet ku ndodhet Shqipëria, është gjëja më dinjitoze që ka bërë Rama, duke marrë vetë drejtimin e ministrit të Jashtëm, se sa të bëjë këtë institucion mish për top. Mos harroni që sot (dje) kanë ardhur për vizitë në Shqipëri ministri i Jashtëm i Italisë dhe ai i Holandës. Dhe që të dy këta diplomatë janë pritur nga Ditmir Bushati që është një ministër që është shkarkuar nga detyra. Kështu që nuk është dinjitoze kjo, pasi në një farë mënyre i ofendojmë miqtë tanë europianë. Si përfundim për logjikën time politike, e përgëzoj kryeministrin Edi Rama që vendosi që ta marrë vetë drejtimin e Ministrisë së Jashtme.

-Keni një koment për vetëdorëzimin e Klement Balilit dhe akuzat e PD për këtë person? Ndërkohë që LSI nuk e ka komentuar.

Mua nuk më intereson se çfarë bën Lëvizja Socialiste për Integrim dhe se përse ajo nuk ka reaguar akoma për Klement Balilin. Nga ana tjetër e përgëzoj Partinë Demokratike për akuzat. Ndërkohë që sa i takon vetëdorëzimit të Balilit, duhet të jesh pak i trashë që ky u mërzit nga liria dhe vendos të pranojë të bëjë burg. Duket që në këtë histori kemi të bëjmë me një fakt që janë mbyllur letrat dhe mazhoranca i ka thënë hajde or mik, se ky është rasti që të përfitosh amnisti. Mos harroni që Klement Balili nuk është emër i panjohur, pasi i punojnë hotelet, i punojnë kompanitë. Dhe pastaj del në intervistë dhe thotë nuk janë bizneset e mia por janë të vëllait. Se të paktën ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se “Habiljat” i ka kushërinj të tetë, ndërsa Klement Balili e ka vëlla atë që posedon miliarda lekë. Aq më tepër që këtu habitem edhe për faktin se si gazetari i shkon në shtëpi Klement Balilit një natë më përpara se Policia e Shtetit, e gjitha është një telenovelë. Dhe Balili flet në intervistë se kujt i ka shërbyer, Lëvizjes Socialiste për Integrim që është sot në opozitë. E gjithë kjo më duket teatrale. Nga ana tjetër, Klement Balili sipas kryeministri Edi Rama ka qenë drejtor i Transporteve të Sarandës nën siglën e LSI. Po këtu unë bëj me faj edhe Ramën, se përgjegjësia morale bie edhe mbi kryeministrin që ka mbajtur në zyrat e shtetit këtë lloj kontingjenti. Pra ky trafikanti si fillim ka qenë drejtor i qeverisë “Rama 1”, dhe Ramës i takon të kërkojë ndjesë. Ndërsa sa i takon propozimit të Klement Balilit për drejtor, përgjegjësia bie mbi partinë që e propozoi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat