Meta shkarkon Bushatin, dekreton Ramën si ministër të Jashtëm

Shqipëria

Meta shkarkon Bushatin, dekreton Ramën si ministër të Jashtëm

Më: 18 janar 2019 Në ora: 11:09
Edi Rama dhe Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar kryeministrin Edi Rama si ministër të Jashtëm.

Kreu i shtetit ka vendosur që të zhbllokojë diplomacinë, duke shkarkuar Bushatin dhe duke miratuar dekretin për Edi Ramën si ministër të Jashtëm

“Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e presidencës

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do përballet me Metën në Kushtetuese, pas vendimit të këtij të fundit për të mos dekretuar Gent Cakajn si ministër të Jashtëm.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se PS nuk do heqë dorë nga kandidatura e Cakajt si ministër i Jashtëm, duke besuar në vendimin e Kushtetueses.

Njoftimi i Presidencës për dekretin

Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestartë dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është njëveprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar.

Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që : Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat