U la jashtë listët për Kryesinë, deputeti i PD ‘shpërthen’ kundër Bashës

Shqipëria

U la jashtë listët për Kryesinë, deputeti i PD ‘shpërthen’ kundër Bashës

Më: 19 janar 2019 Në ora: 06:19
Hekuran Hoxhalli

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike duket se nuk rezervon asnjë surprizë të re.

Mekanizmat e zgjedhjes së strukturave drejtuese, vijojnë të jenë jo sipas meritokracisë apo forcës elektorale, por sipas miqësive me kryedemokratin Lulzim Basha.

Gjendja brenda strukturave të “selisë blu” dhe metodat e përdorura nga kreu i kësaj partie, kanë indinjuar edhe deputetin e PD-së, Hekuran Hoxhalli.

Ky i fundit ka shigjetuar drejtpërdrejtë demokratin Basha, duke i shprehur indinjatën lidhur me përzgjedhjet selektive të emrave për strukturat e reja drejtuese dhe mungesën e vlerësimit.

Ligjvënësi Hoxhalli, edhe pse ka rezultatet më të larta gjatë zgjedhjeve elektorale të 25 qershorit, është lënë jashtë listave.

Madje, ironik është fakti që në listë janë përfshirë emra si Ervin Salianji apo Klevis Balliu, të cilet në qarkun e Korçës përfituan mandatin e deputetit falë rezultateve të ligjvënësit Hoxhalli.

Më poshtë po përcjellim reagimin e tij të plotë:

“Sot më takonte t’i bëja një urim Këshillit Kombëtar të PD-së, i cili nesër zgjedh kryesinë dhe ekzekutivin e Partisë, ndaj nisa të bëj këtë status. Por mendja më vajti si padashje tek politika dhe kuptimi i saj për njerezit.

Politika është arti i të pamundurës. Ky është një nga përkufizimet më konçize për politikën. Siç e kuptoj unë, kjo do të thotë se politika ka aftësinë të gjejë zgjidhje edhe atje ku gjendja është e pashpresë, të frymëzojë në kulm të dëshpërimit, të ngrejë në këmbë nga buza e varrit. Këtë bën politika, kur njihet dhe perceptohet si arti i të pamundurës. Por kur politika, në vend të zgjidhjes, prodhon qorrsokak, në vend të frymëzimit, mbjell dëshpërim dhe në vend të ngritjes peshë, veç gjunjëzon, atëherë ajo nuk është më art, por është thjesht e pamundur.

Njerëzit gjithmonë vlerësohen nga veprat e tyre, jo nga ëndrrat, as nga ambicjet. Më të zotët, më të mirët, më të fortët dhe më të mençurit janë ata që ëndërrat i bëjnë realitet, që ambicjet i kthjejnë në vepra. Ata që ëndërrat dhe ambicjet i konvertojnë vetëm në fjalë dhe fjalët pastaj ia falin erës, ata nuk prodhojnë dot vepra, por veç iluzione.

Të dish të vlerësosh është një gjë shumë e mirë. Por është akoma më mirë të dish të bësh llogari. Më e mira është të dish të matësh. Në politikë, kjo është një dhunti që shumë pak veta e kanë. Ata që e kanë janë bekim për pasuesit, mbështetësit dhe simpatizantët.

Këto mendime më ngjalli kjo pragmbledhje e Keshillit Kombëtar të PD-së dhe mendova t’i ndaj me të tjerë. Ndoshta ka dhe të tjerë që i shohin gjërat, siç i shoh unë.
Suksese Keshillit kombetar te PD”, u shpreh Hoxhalli.

/a.rada

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat