Energji me këste mujore për abonentët

Shqipëria

Energji me këste mujore për abonentët

Më: 20 janar 2019 Në ora: 17:26
Kompania vijon të ketë probleme me vjeljen e borxheve nga insititucionet jo-buxhetore

Kompania e Shpërndarjes së Energjisë ka ndryshuar skemat e aktmarrëveshjeve për abonentët që janë debitorë. Për herë të parë, OSHEE ka vendosur që të përfshijë në pagesën mujore me këste edhe detyrimet për vitet korrente, siç mund të jetë debia e 2018-s. Në skemat e mëparshme, klienti detyrohej që të paguante të gjithë borxhin e akumuluar në vitin paraardhës që të bëhej më pas pjesë e skemës lehtësuese me këste.

Elton Sevrani, drejtor i shitjeve në kompaninë OSHEE, thotë se janë gjithsej 430 mijë abonentë debitorë të cilët do të përfitojnë rinovim të aktmarrëveshjeve dhe 40 mijë të rinj që priten të futen për herë të parë në skemë nga ndryshimi i kushteve të pagesës. Për abonentët familjarë kësti mujor mbetet 4200 Lekë, ndërsa për familjet në nevojë kësti është 1800 Lekë në muaj.

Kompania vijon të ketë probleme me vjeljen e borxheve nga insititucionet jo-buxhetore, të cilat vetëm gjatë 2018-s janë rritur me 33 milionë Dollarë.

Institucionet shtetërore më të shumta që nuk paguajnë janë Ujësjellësat, dhe vendimi për t’i ndërprerë energjinë rrezikon furnizimin me ujë të qytetarëve. Megjithatë, kompania sqaron se disa ndërmarrje të mëdha, si ujësjellësi i Tiranës dhe Durrësit janë duke paguar faturat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat