Meta-Brajoviç: Promovim të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi

Shqipëria

Meta-Brajoviç: Promovim të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi

Më: 21 janar 2019 Në ora: 16:39
Meta-Brajoviç

Presidenti Ilir Meta i kushtoi sot një vëmendje të posaçme respektimit, mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, duke inkurajuar nisma ligjore mbështetëse ndaj përdorimit të gjuhës, ruajtjes së simboleve, dhe identitetit kulturor të shqiptarëve.

Këtë deklaratë, Presidenti Ilir Meta e bëri gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit, Ivan Brajoviç, në kuadër të vizitës shtetërore në Mal të Zi. Po ashtu, Meta nxiti përfaqësimin  proporcional të shqiptarëve në nivel qendror dhe lokal, duke i shërbyer bashkëjetesës harmonike në Mal të Zi si dhe bashkëjetesës rajonale.

Presidenti Meta vuri në dukje marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe potencialin e madh të bashkëpunimit që kemi përpara si dy vende tashmë edhe anëtare të NATO-s dhe bashkërrugëtuese në integrimin europian.

Presidenti evidentoi se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë përgjegjësinë që të përçojnë vlerat më të mira të Aleancës Transatlantike si në planin dypalësh ashtu edhe atë rajonal, dhe se Parlamentet e të dy vendeve duhet të bëhen katalizatorë të këtij mentaliteti të ri rajonal.

Duke shprehur kënaqësinë që shqiptarët janë të përfaqësuar përmes Genc Nimanbegut në Parlamentin malazez, i cili mban njëkohësisht edhe detyrën e nënkryetarit të Parlamentit, Presidenti Meta tha se shpreson që ky përfaqësim të rritet edhe më tej duke i kontribuar si kuptimit më të mirë dhe plotësimit të nevojave të komunitetit shqiptar ashtu edhe shërbimit të interesit më të mirë të Malit të Zi.

Presidenti vlerësoi qëndrimet dhe rolin që Mali i Zi luan për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, dhe shprehu dëshirën për kontakte më të shpeshta dhe nisma të përbashkëta mes Parlamenteve të dy vendeve tona. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat