Rama inspekton Tiranë-Elbasan: Kjo rrugë u bë “gangrenë”, përfundojeni në maj!

Shqipëria

Rama inspekton Tiranë-Elbasan: Kjo rrugë u bë “gangrenë”, përfundojeni në maj!

Më: 22 janar 2019 Në ora: 15:06
Edi Rama inspekton Tiranë-Elbasan

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar ditën e sotme punimet në rrugën Tiranë-Elbasan, ku është njohur me detajet dhe ecurinë.

“Më në fund drejt përfundimit, pasi u kthye në shëmbëlltyrën më kuptimplotë të rrugëve të lëna rrugëve dhe të kostove marramendëse financiare e jo vetëm”, thotë Rama.

Drejtuesi i punimeve e njohu kreun e qeverisë me ecurinë, duke thënë se në 15 mars parashikohet që të hapet karrexhata e majtë për qarkullimin e mjeteve.

Po ashtu ai tha se në muajin maj, parashikohet që të përfundojë i gjithë projekti, duke mundësuar qarkullimin normal në rrugë.

Kreu i qeverisë kritikoi projektin fillestar, për të cilin tha se u bë sa për fushatë elektorale, ndërkohë që aktualisht kostoja ka shkuar thuajse dyfish.

Kryeministri u shpreh se kosto e dyfishtë për rindërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan është rezultat i papërgjegjshmërisë në hartimin e projektit të mëparshëm.

“Kjo rrugë u bë realisht gangrenë. U nis pa projekt, pa studim gjeologjik, pa asnjë lloj sigurie, vetëm hajde të hapim tunelin për fushatë elektorale e punë e madhe se çfarë ndodh mbrapa dhe e paguan shumë shtrenjtë. Praktikisht ka shkuar dyfish nga vetëm marrëzia dhe babëzia e paimagjinueshme”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi angazhim maksimal për të përmbyllur rrugën brenda afatit të parashikuar, në maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat