Karta e studentit, shërbime edhe jashtë vendit

Shqipëria

Karta e studentit, shërbime edhe jashtë vendit

Më: 22 janar 2019 Në ora: 20:04
Foto ilustrim

Kryeministri Edi Rama shpjegoi për studentët e Universitetit të Elbasanit, me të cilët zhvilloi një konsultim për Paktin për Universitetin pasditen e sotme, se karta e studentit është një angazhim i qeverisë që do të realizohet brenda vjeshtës së vitit të ardhshëm. Sipas kreut të Qeverisë, gjëja që po bëhet për këtë pikë, është hyrja në rrjetin e kartës europiane të studentit.

“Kemi filluar diskutimet që në fillim të vitit të shkuar dhe kemi dakordësi me ofruesin e kartës europiane të studentit që të jetë e vlefshme dhe jashtë”, – tha Rama.

Pas marrjes së kartës europiane një student shqiptar nëse shkon në Paris do të ketë të njëjtat shërbime si një student që studion në atë vend. Përfitimet janë duke u diskutuar edhe me bashkitë në mënyrë që ato të jenë të vlefshme për studentët kudo ku ata shkojnë.

Po ashtu, Rama tha se bashkia ka hyrë në bisedime me kompani private për ulje për studentët në dyqane të caktuara. Po ashtu, edhe për transportin, po bisedohet për rregullimin e përfitimeve me bashkitë, pasi transporti është pjesë e politikave të bashkive. Në lidhje me përfitimin në transportin ndërurban, Rama tha se kjo pikë po studiohet në mënyrë që ulja e kostos për studentët të mos rëndojë si rritje e çmimeve për qytetarët.

“Ndaj na duhet kohë për t’u bërë të gjitha këto dhe karta do të jetë gati vjeshtën e vitit të ardhshëm”, – tha Rama. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat