Forumi Ekonomik/ Shqipëria kërcënohet nga kriza fiskale

Shqipëria

Forumi Ekonomik/ Shqipëria kërcënohet nga kriza fiskale

Më: 23 janar 2019 Në ora: 11:16
Foto ilustrim

Edhe pse qeveria pretendon se ka vënë nën kontroll borxhin publik dhe financat e shtetit, Forumi Ekonomik Botëror vëren se Shqipëria kërcënohet nga kriza fiskale.

Paralajmërimi është bërë publik në raportin e fundit ‘Risqet Rajonale për të Bërë Biznes’.

Raporti është hartuar përmes pyetjeve direkte të përfaqësuesve të bizneseve më të mëdha në vend, kryesisht kompani ndërkombëtare, të cilët kanë listuar pesë rreziqet më të mëdha për ekonominë.

Image

Sipas Forumit Ekonomik, në rastin e Shqipërisë, risku numër një vlerësohet zhytja e financave të shtetit në krizë. Pas krizës fiskale, në vendin e dytë si risku më i madh për ekonominë vlerësohet informaliteti dhe tregtia e paligjshme, ndërsa në vendin e tretë falimentimi i institucioneve financiare.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për 11 muajt e vitit të kaluar, të ardhurat totale në buxhet ishin 94 milionë euro më të ulëta se plani. Por veç mosrealizimeve, shqetësimi kryesor për financat e shtetit është manipulimi i shifrave për të fshehur realitetin dhe krijimi i detyrimeve të prapambetura.  

Manipulimi i treguesve zyrtarë të financave publike nga Ministria e Financave u denoncua publikisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Përmes një raporti të dorëzuar në Kuvend, KLSH konstaton se gjendja reale e financave të shtetit është dukshëm më e përkeqësuar nga ajo që paraqet qeveria në dokumentet zyrtarë. 

Sipas institucionit më të lartë auditues, nga auditimi i financave publike janë konstatuar mospërputhje të mëdha shifrash mes Sistemit Informatik që proceson automatikisht veprimet e thesarit dhe tabelave të buxhetit të paraqitura nga Ministria e Financave.

Kjo ka bërë që krijohen detyrime të fshehura në formën e borxheve të prapambetura që shteti i ka bizneseve. ‘Borxhet e fshehura kanë arritur në 240 milionë euro. Kjo bën që borxhi publik i vendit të mos jetë 69.9 për qind sa raporton qeveria zyrtarisht, por 72 për qind e Prodhimit Kombëtar, thotë KLSH. 

Vetëm vitin e kaluar vlerësohet se janë krijuar mbi 100 milionë euro borxhe të prapambetura. Kjo duket se ka rritur frikën tek bizneset dhe Forumi Ekonomik Botëror se Shqipëria po kërcënohet nga kriza fiskale, në një kohë që borxhi mbetet në nivele mbi 72 për qind e Prodhimit Kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat