PS, ftesë opozitës: Të votojmë reformën zgjedhore në Kuvend

Shqipëria

PS, ftesë opozitës: Të votojmë reformën zgjedhore në Kuvend

Më: 23 janar 2019 Në ora: 15:35
Taulant Balla

Thirrjeve të ambasadorit të BE-së për përmbylljen e Reformës Zgjedhore iu bashkua edhe mazhoranca.

Kryetari i grupit socialist, Taulant Balla i kërkoi kolegëve opozitarë të mos mungojnë në seancën e 30 janarit, si tregues se nuk po kërkojnë arsye për të bojkotuar zgjedhjet në qershor.

“Ne presim që PD-ja të depozitojë në Kuvend dy anëtarët që i takojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo është shprehje e qartë e gadishmërisë për të marrë pjesë në zgjedhje, për të mohuar të gjithë atë që shqiptarët e dinë: ngritja e një alibie të humbjes së radhës në 30 Qershor”, tha Balla.

Por, demokratët kanë deklaruar se reforma është minuar në momentin që socialistët depozituan në Kuvend draftin e njëanshëm, i cili, sipas tyre, nuk i jep zgjidhje problemit të shitblerjes së votës dhe nuk garanton një proces të lirë zgjedhor.

“Nuk është Kodi Zgjedhor ai që garanton zgjedhje të mira dhe tërësisht në respekt të standardeve, pasi në radhë të parë duhet vullnet politik mes palëve. Shqipëria i përmbush sot të gjitha kriteret për hapjen e negociatave. Secili prej nesh duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Nuk mund të ketë axhendë politike pro integrimit europian opozita, e cila sa herë që Shqipëria afrohet në një gur të rëndësishëm të rrugës sonë europiane, opozita të bojkotojë Kuvendin, të ngrejë çadra, të protestojë e të tjera me radhë”, shtoi Balla.

Opozita këmbëngul që zgjedhjet t’i realizojë një qeveri trazitore.

“Nuk kam koment për këtë”, theksoi Balla.

Balla iu përgjigj gazetarëve jo vetëm për aktualitetin politik, por edhe për hallet periferike. Ndër to, shqetësimi i banorëve të Gramshit për ndërtimin e HEC-it të Holtës.

“Të jeni të sigurtë që kryeministri Rama dhe ministrja Balluku do të marrin të gjitha vendimet për të pezulluar e më pas për të bllokuar çdo lloj ndërtimi që prish, dëmton një aset të rëndësishëm natyror, por edhe një atraksion të rëndësishëm turistik për një bashki”, u shpreh Balla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat