‘Baza e Kuçovës investim strategjik’, Meta takon komandatin amerikan të Forcave Ajrore të NATO-s

Shqipëria

‘Baza e Kuçovës investim strategjik’, Meta takon komandatin amerikan të Forcave Ajrore të NATO-s

Më: 24 janar 2019 Në ora: 17:58
Ilir Meta dhe Gjeneralin Tod Wolters

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Komandatin amerikan të Forcave Ajrore të NATO-s, Gjeneralin Tod Wolters. Presidenti Meta theksoi se në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe 20 vite pas ndërhyjes ushtarake të Aleancës që i dha fund genocidit në Kosovë dhe rajon, Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë dhe do të mbeten gjithmonë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Kreu i Shtetit shprehu kënaqësinë e veçantë për përzgjedhjen e Kuçovës si vendndodhje e bazës moderne ajrore të NATO-s, shenjë e besimit dhe vlerësimit që Aleanca ka për Shqipërinë dhe kontributin e saj në sigurinë e rajonit.

“Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një investim strategjik si për sigurinë tonë kombëtare, ashtu edhe për atë rajonale”, – theksoi Presidenti Meta.

Gjithashtu Kreu i Shtetit tha se Shqipëria është e interesuar që NATO të forcohet më tej si në aspektin politik ashtu edhe atë ushtarak dhe siguroi për gadishmërinë për të plotësuar jo vetëm të gjitha detyrimet por edhe për të marrë përgjegjësi të reja. Presidenti Meta vuri në dukje se pas anëtarësimit të Malit të Zi, anëtarësimi i shumëpritur i Maqedonisë në NATO, do të jenë garanci të shtuara për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat