“Nëse nuk shfuqizohet ligji për arsimin, do nisim grevë urie”, ja çfarë paralajmërojnë studentët

Shqipëria

“Nëse nuk shfuqizohet ligji për arsimin, do nisim grevë urie”, ja çfarë paralajmërojnë studentët

Më: 25 janar 2019 Në ora: 11:06
Studentët

Studentët e Fakultetit të Juridikut vazhdojnë ngujimin. Ata kanë bllokuar hyrjen kryesore të fakultetit dhe nuk lejojnë asnjë të hyjë brenda. Studentët bënë thirrje se nëse nuk shfuqizohet ligji për arsimin e lartë, protesta mund të shkojë drejt grevës së urisë.

Ndërsa shtuan se do zhvillojnë një mbledhje me rektorin Mynyr Koni për të folur mbi zhvillimin e protestës.

“Siç u bë e ditur edhe dje profesor Mynyr Koni erdhi këtu. Ne patëm një bisedë ku i bëmë të ditur situatën. Kemi një lënë një takim që do zhvillohet sot ose nesër. Takimi që kemi lënë me rektorin është për zhvillimin e protestës dhe për parashtrimin e pikave të tjera.

Nuk e zhvilluam këtu sepse do krijohej një situatë e pakëndshme si për rektorin ashtu edhe për ne. Kemi 15 ditë të ngujuar dhe jemi të lodhur. Dera siç e dini nuk është hapur akoma dhe nuk mund të fusim rektorin brenda nga dritarja dhe as pedagogët nuk kemi lejuar që të futen brenda.

Besoj se rektori ka ardhur për zhvillimin e protestës ashtu siç ka dalë dhe senati akademik. Protesta do vazhdojë derisa të shfuqizohet ligji për arsimin e lartë. Tre fakultete në Universitetin e Tiranës e kërkojnë shfuqizimin e ligjit.

Ne po protestojmë dhe është e drejta jonë. E drejta për të bërë mësim është e të gjithëve, dhe ne e kërkojmë mësim, por vetëm për të mirën e të gjithëve po vazhdojmë ngujimin.

Do e zgjedhin studentët nëse do bëjmë grevë urie apo do ndërmarrim ndonjë hap tjetër por greva e urisë është primare për ne”, tha studenti për Ora News.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat