Miliona euro dhe 7 apartamente, kush fshihet pas pasurisë që iu sekuestrua babait dhe vajzës

Shqipëria

Miliona euro dhe 7 apartamente, kush fshihet pas pasurisë që iu sekuestrua babait dhe vajzës

Më: 26 janar 2019 Në ora: 00:52
Lezhë

Te tjera detaje nga sekuestrimi i pasurise marramendese ne llogarite bankare te babë e bijë ne Lezhe, qe dje iu sekuestruan 5.2 milionë euro dhe 7 apartamente.

Hetimet janë nisur nga Policia dhe Prokuroria e Lezhës pas sinjalizimeve të ardhura nga një bankë e nivelit të dytë në qytetin e Lezhës.

Llogaritë bankare dhe apartamentet e sekuestruara janë në pronësi të Pjetër Vocit, 83 vjeç dhe vajzës së tij Shqipe Palaj, 50 vjeçe dhe dyshohen se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Hetimet e Policisë nisën menjëherë, pasi në llogaritë bankare në emër të 50- vjeçares, mbërritën shuma të mëdha parash në një kohë shumë të shkurtër. Transaksioni është kryer ditët e fundit nga familjarë të këtyre dy personave që jetojnë në Zvicër drejt llogarisë së saj në një bankë të nivelit të dytë.

Sipas informacioneve të marra nga Panorama në mënyrë konfidenciale, bëhet e ditur se 50-vjeçarja mund t’i ketë marrë këto para të dërguara nga kunati i saj. Paratë nisën të tërhiqeshin dhe me to të bliheshin prona të paluajtshme, në qytetin e Lezhës dhe Tiranës, ku në emër të Palajt dhe babait të saj, figurojnë 7 apartamente.

Me gjithë dyshimet e forta për para që vijnë nga aktivitete kriminale, që kanë të bëjnë me trafikun e drogës, hetimi për 50-vjeçaren dhe babain e saj do të bëhet në gjendje të lirë, pasi vetë ata nuk janë të përfshirë në aktivitet kriminal në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Pas hetimeve të para me kërkesën e prokurorit Erjon Shehaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë me vendim nr. 17 datë 23.01.2019 ka vendosur sekuestrimin e llogarive bankare si dhe të 7 apartamenteve në Lezhë dhe Tiranë. Pas vendosjes së sekuestros, ndaj babë e bijë ka nisur procedim për veprën penale të pastrimit të parave.

“Në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, sekuestrohen rreth 5.2 milionë euro llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme të dy shtetasve, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale. Sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës, që ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën ‘Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale’ në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë, me vendim të datës 23 janar 2019. Sekuestrot janë llogari bankare në vlerë totale rreth 5.2 milionë euro dhe 7 apartamente”, bëhet e ditur nga Policia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat