Zbardhet vendimi, anëtari i KLP konfirmohet me nivel të ulët profesional

Shqipëria

Zbardhet vendimi, anëtari i KLP konfirmohet me nivel të ulët profesional

Më: 26 janar 2019 Në ora: 08:26
Foto ilustrim

Kontrata jonormale e qiradhënies dhe problemet me aftësitë profesionale, nuk janë bërë shkak që prokurori i Elbasanit, aktualisht anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, të shkarkohet nga detyra.

Besnik Cani në KPKKomisioni i Pavarur i Kualifikimit argumenton në fund, se prokurori ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës, si dhe ka arritur, së paku, nivel minimal kualifikues në kriterin e aftësive profesionale.

Ndërkohë, në lidhje me çështjen e kontratës, KPK ia ka kaluar për veprime të mëtejshme organit kompetent për inspektimin e shkeljes disiplinore. Sipas vendimit të zbardhur, rreth dy muaj pas konfirmimit, hetimet për Canin janë mbyllur fillimisht vetëm në kriterin e pasurisë, por, sqarohet se pas kërkesave të prokurorit, në gusht të 2018-s hetimi është rihapur sërish për dy kriteret e tjera.

AFTËSITË PROFESIONALE
Në lidhje me aftësitë profesionale, prokurori Besnik Cani është vlerësuar shumë mirë nga Grupi i Punës në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa, sipas Komisionit, në një nga dosjet e shqyrtuara janë vërejtur problematika. Konkretisht, vendimit të Canit, për shfuqizimin e akteve të një çështjeje penale. Komisioni ka konstatuar se në përfundim të hetimeve, prokurori i çështjes, Xh.S., kishte vendosur: “Gjykimin e çështjes penale me të pandehur, shtetasin B.GJ., të akuzuar për veprën penale të “Kanosjes së gjyqtarit në formën e kanosjes së prokurorit”.

Kjo dosje, më pas, ka kaluar për kontroll te drejtuesi i Prokurorisë, z.Besnik Cani, asokohe me funksion drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i cili pasi ka kryer vlerësimin e saj, ka vendosur “Shfuqizimin e vendimit për dërgimin në gjyq të çështjes penale, si dhe të kërkesës për gjykim të kësaj çështjeje”.
“Rezulton që vendimi për ‘Pushimin e çështjes’, sipas arsyetimit të subjektit, është marrë nga ana e tij, duke u bazuar edhe në vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me nr. 739, datë 13 dhjetor 2006, por ngelin dyshime mbi bindshmërinë e argumentimeve, nëse faktet janë vlerësuar juridikisht në mënyrë korrekte, në lidhje me ricilësimin e veprës penale, si dhe mbi përcaktimin dhe citimin e bazës ligjore të aplikueshme në rastin konkret”, shkruhet në vendim.

Më tej, KPK konkludon se konstatohen mangësi profesionale në moskryerjen e hetimeve të thelluara, në cilësimin korrekt të një vepre penale, si dhe në aplikimin e një baze të gabuar ligjore në rastin konkret. “Përtej dyshimeve mbi ekzistencën e elementeve të veprës penale të kanosjes, nga dokumentet prezentë në dosje, del qartë prezenca e veprës së fyerjes dhe kjo pohohet edhe nga vetë subjekti i rivlerësimit në arsyetimin e tij dhe po ashtu nuk mund të injorohej fakti që personi i dëmtuar ishte me funksion prokurore.

Ky fakti i fundit çon automatikisht në një tjetër cilësim vepre, gjë që nuk është bërë nga z. Besnik Cani. Për rrjedhojë, është pushuar një procedim penal, i cili do të duhej të ishte vijuar dhe të çohej në gjykim, në bazë të provave të administruara gjatë hetimeve të kryera nga prokurori (titullar) i çështjes në fjalë”, argumenton KPK, ndërsa rasti në fjalë është transferuar pranë organit kompetent për inspektimin e shkeljes disiplinore. Për prokurorin Besnik Cani janë bërë 8 denoncime nga qytetarët, ku një pjesë e tyre kishin të bënin me akuza për përfshirje në afera korruptive, që, sipas Komisionit, janë të pabazuara dhe nga hetimi është arritur në përfundimin se denoncimet janë të pabazuara në prova dhe kanë ngelur në kuadrin e deklarimeve.

Ndërkohë, katër denoncime të tjera, lidhen me mosfillim të hetimeve, pushim, apo mbyllje të çështjeve pa të drejtë. Në lidhje me këto denoncime, KPK është shprehur për një prej denoncimeve, ku prokurori ka mbyllur fillimisht hetimet, duke i rihapur sërish më vonë me kërkesë të eprorit, i cili ka konstatuar se nuk janë kryer hetime të thelluara. “Nga ana e subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani, në hetimin e kësaj çështjeje, ka pasur mangësi profesionale lidhur me mosthellimin e hetimeve; me mungesë arsyetimi dhe marrjen e një vendimi pushimi ‘sipërfaqësor’ dhe më vonë, pas kryerjes së hetimeve të mëtejshme nga vetë subjekti, por në sajë të urdhrit të drejtuesit të tij, ai arrin në një konkluzion të kundërt, duke kërkuar gjykimin për V.H., me akuzën e ‘shkaktimit të vetëvrasjes’, për të njëjtat fakte mbi të cilat më parë ai i kishte pushuar hetimet”, shkruhet në vendim.

KONTRATA
Në lidhje me kontratën e qiradhënies, sipas së cilës, prokurori Cani, në cilësinë e qiradhënësit, do të përfitonte 5 lekë për çdo litër karburant të shitur dhe njëkohësisht do të shlyente detyrimin që do të krijohet për ndërtimet nga shoqëria që do qiraja mujore dhe do të arkëtojë 50% të qirasë mujore si kompensim mbi ndërtimet e kryera, të cilat pas 25 vitesh do të bëhen pronë e Canit.
Sipas KPK-së, kjo nuk është një kontratë normale qiradhënie, pasi ka elemente, që prodhojnë efekte të shumëfishta dhe të ndryshme nga një kontratë e mirëfilltë qiraje, edhe pse formalisht ndërveprimet kontraktore në fjalë janë veshur me termin dhe me petkun juridik të kontratës së qirasë.

“Sa më lart, mund të jetë një shkak papajtueshmërie me profesionin e prokurorit dhe/ose mund të përbëjë një konflikt interesi. Gjithashtu, kjo rrethanë komplekse mund të jetë shkak për cenimin e etikës profesionale”, shkruhet në vendim.
Cani për komisionerin: Kryen hetime të thelluara, me qëllim shkarkimin tim
Në vendimin e zbardhur, KPK shkruan se prokurori Besnik Cani ka kërkuar në dy herë përjashtimin e relatorit të çështjes, Lulzim Hamitaj, në datë 23.04.2018 dhe 31.07.2018, në të njëjtën çështje.

Referuar vendimit, Cani ka pretenduar se Hamitaj kryente hetime të thelluara dhe tendencioze me qëllim shkarkimin e tij. Prokurori më tej ka shtuar se nuk e njihte atë, por kishte dyshime se ishte i influencuar nga njerëz që i donin të keqen. “…ky komisioner po zhvillon hetime të thelluara dhe tendencioze, me qëllim shkarkimin tim nga detyra. Po ashtu, veç të tjerash, ai pohonte që, edhe pse nuk e njoh dhe nuk kam pasur asnjë takim apo problem me z. Hamitaj, ai ndoshta është i influencuar nga njerëz që më duan të keqen dhe për rrjedhojë nuk mund të jetë objektiv dhe i paanshëm në rivlerësimin tim …”, si dhe për faktin që “…ky komisioner nuk është i besueshëm… etj.”, shkruhet në vendim. Ndërkohë, KPK nuk e ka pranuar kërkesën e Canit, pasi pretendimet janë çmuar të pabazuara në ligj dhe në prova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat