Denoncimi i PD-së: Piktori Rama po shkel Kushtetutën, parlamenti të reagojë

Shqipëria

Denoncimi i PD-së: Piktori Rama po shkel Kushtetutën, parlamenti të reagojë

Më: 26 janar 2019 Në ora: 16:20
Edi Rama

Në një dalje për mediat, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi u shpreh se hapja e ekspozitave dhe shitja e veprave të artit gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit e bën të pavlefshëm mandatin e Edi Ramës.

Sipas saj kuvendi duhet ta konstatojë menjëherë papajtueshmërinë.

Vokshi u shpreh se duke shitur krijimtarinë e tij artistike, Edi Rama ka deklaruar në 3 vjet 79 milionë lekë, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

“Paligjshmëria, abuzimi me pushtetin dhe pasurimi i babëzitur janē 3 tiparet kryesore të Edi Ramës në krye të qeverisjes së vendit. Është koha t’i japim fund këtij modeli”, u shpreh Vokshi.

Deklarata e plotë

Në këto ditë të ftohta Tirana dhe disa qytete të vendit janë përballur me ndërprerjen e energjisë elektrike.

Studentët janë ende në bojkot me kërkesa minimale të parealizuara nga qeveria.

Fatura e ujit ka ardhur edhe më e lartë këtë muaj nga futja e një takse të re. Shumica e shqiptarëve jeton më keq, por kryeministri i vendit nuk do t’ia dijë.

Edi Rama e ka braktisur detyrën, për të hapur në Berlin një ekspozite të re për shitjen e krijimeve të tij, në shkelje të hapur të ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit, e cila detyron heqjen e mandatit për deputetin Edi Rama.

Shpjegimi për këtë është fare i thjeshtë. Deri në vitin 2014, Edi Rama ka deklaruar zero lekë nga krijimtaria artistike.

Pasi bëhet Kryeministër, Edi Rama, nis të hapë ekspozita në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Për 3 vjet rresht, në 2015-2016-2017, ka deklaruar 79 milionë lekë të ardhura nga krijimtaria artistike.

Gjithçka është në kundërshtim me ligjin dhe detyrën e tij si kryeministēr dhe si deputet.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, pērcakton në nenin 27 të tij se, “Kryeministri nuk mund të ushtrojë veprimtari private që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar”.

Duke shitur krijmtarinë e tij artistike dhe duke krijuar të ardhura të deklaruara 79 milionë, kryeministri Edi Rama ka vepruar në cilësinë e personit fizik tregtar, siç e përcakton ligji për të drejtat e autorit.

Kjo përbën qartazi papajtueshmëri me funksionin e Kryeminstrit dhe deputetit, duke shkelur hapur Kushtetutën.

Në këto kushte, Kuvendit të Shqipërisë i takon të mos sillet si vegël në duart e Edi Ramës, por të ushtrojë të drejtën e vet: të konstatojë papajtueshmërinë me funksionin e Kryeministrit/deputetit dhe të deklarojë mbarimin e mandatit të Edi Ramës në bazë të nenit 71 të Kushtetutës.

Paligjshmëria, abuzimi me pushtetin dhe pasurimi i babëzitur janë 3 tiparet kryesore të Edi Ramës në krye të qeverisjes së vendit.

Ai e tregoi këtë edhe pak kohë më parë, kur ne provuam me dokumenta zyrtarë se Edi Rama nuk i justifikon 400 milionë lekët e deklaruar për vilën superluksoze të Surrelit.

Edi Rama heshti, sepse e di që fshehja e pasurisë dhe pastrimi i parave janë vepra penale që dënohen me burgim te gjatë!

Heshtja e tij dhe e institucioneve që kontrollon, mund ta ndihmojë  edhe tani për të shpëtuar mandatin nga ushtrimi i paligjshëm i detyrës së kryeministrit, por nuk do ta shpëtojë dot përgjithmonë!

Ka ardhur koha t’i japim fund këtij modeli të neveritshëm dhe shkatërrues për shoqërinë tonë! Është koha të bashkohemi në protestë për të mos e lejuar më kryeministrin të shkëmbejë me ekspozita picture, të ardhmen e fëmijëve tanë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat