Llixhat, bashkia Dibër kundër vendimit të Këshillit të Basenit Ujor Drin-Bunë

Shqipëria

Llixhat, bashkia Dibër kundër vendimit të Këshillit të Basenit Ujor Drin-Bunë

Më: 26 janar 2019 Në ora: 20:25
Dibër

 “Këshilli i Basenit Ujor Drin-Bunë ka dhënë një licencë ku jep në përdorim për 5 vite ujërat kurative të llixhave Dibër, ndërsa ne si bashki jemi kundër dhe për këtë po konsultohemi me banorët”, tha sot për ATSH-në, kryetari i bashkisë Dibër, Muharem Rama, ndërsa paralajmëroi se do të ndiqet rruga ligjore.

Kryetari i bashkisë Dibër tha se “ky vendim dëmton interesat e qytetarëve dhe ne sot bashkë me deputeten e zonës zhvilluam një takim me banorët”.

“Do të ngrihet një grup pune me urdhër të zyrës së kryeministrit për të hetuar çështjen, pasi ne kërkojmë mospranimin e kësaj leje”, tha ai.

Sipas tij, “bashkia është e angazhuar maksimalisht për të gjetur të gjitha format për ta bllokuar këtë vendim”.

Ndërsa, deputetja e Partisë Socialiste për qarkun Dibër, Almira Zebi Xhembulla garantoi qytetarët se “askush nuk do të mund të cenojë interesin e tyre”.

“‘Gjuetarët e ujit, që s’po lënë vijë a hurdhë në Shqipëri pa kërkuar ta shfrytëzojnë, kanë gjetur një hapësirë për të cenuar interesin tonë të përbashkët. Si deputete e Dibrës, si qytetare, si avokate e së drejtës së komuniteteve në menaxhimin e burimeve natyrore, që në momentin kur mora informacion për një vendimmarrje që lidhej me ujin e llixhave, në koordinim me kryetarin e bashkisë e përcolla shqetësimin dhe kërkova informacion tek të gjithë instancat përkatëse”, tha ajo.

Po ashtu, Xhembulla theksoi se është ngritur një grup punë me urdhër të Kryeministrit për të verifikuar çështjen.

“Menjëherë nga Zyra e Kryeministrit dha urdhër për ngritjen e një grupi pune për të vlerësuar procesin dhe vlefshmërinë e kësaj vendimmarrje. Sot bashkë me kryetarin e Bashkisë dhe përfaqësues të këtij grupi organizuam një dëgjesë publike me përfaqësues të biznesit, qytetarë dhe punonjës të llixhave. Sigurisht për vetë ndjeshmërinë e lartë që ka çështja, diskutimi ishte shumë intensiv”, tha ajo.

Gjithashtu Xhembulla sqaron se “për të gjitha detajet do të shprehet grupi i punës i cili do të ketë në përbërjen e tij edhe përfaqësues të Bashkisë Dibër”. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat