I vendosën tritol në banesë, dyshimet ndaj biznesmenit me dy emra

Shqipëria

I vendosën tritol në banesë, dyshimet ndaj biznesmenit me dy emra

Më: 26 janar 2019 Në ora: 21:13
Foto ilustrim

Detaje të reja janë mësuar për shpërthimin e fuqishëm që ndodhi mbrëmjen e djeshme, në garazhin e një banese 3-katëshe në lagjen “Granicë” në Gjirokastër.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 dhe sipas Policisë, nuk ka persona të lënduar, vetëm dëme materiale. Menjëherë pas shpërthimit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Policisë, oficerët e Krimeve të Rënda, si dhe ekspertë kriminalistë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Burime nga Policia thanë per Panorama se shtëpia ku ndodhi shpërthimi është në pronësi të biznesmenit Kleo Bello, i cili njihet edhe me emrin Ndërtim Muxhaj. Ai ka në pronësi një linjë autobusësh dhe një lavanderi.

Nga hetimet paraprake, Policia ka dyshime se ngjarja mund të ketë si motiv konkurrencën dhe ka qenë një paralajmërim për biznesmenin Bello. Fillimisht u dyshua për shpërthimin e ndonjë bombole gazi, por nga verifikimet e mëvonshme rezultoi se bëhej fjalë për aktivizimin e një sasie lënde plasëse.

Ngjarja

Fatmirësisht, nga shpërthimi i ndodhur mbrëmjen e djeshme në një vilë 3-katëshe në lagjen “Granicë e Sipërme” në Gjirokastër, nuk pati persona të lënduar, por dëmet materiale kanë qenë të shumta. Mësohet se shpërthimi me tritol ka ndodhur në katin e parë të objektit 3- katësh, në pronësi të biznesmenit që mban dy emra, Ndërtim Muxhaj dhe Kleo Bello.

Ai ka në pronësi një lavanderi (pastrim kimik), por edhe një linjë autobusësh. Burime nga Policia thanë mbrëmë se nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar muret dhe grilat e objektit në katin e parë, që shërbente si garazh. Por janë thyer edhe xhamat e katit të dytë të banesës. Nuk dihen ende zyrtarisht shkaqet dhe motivet e ngjarjes, megjithëse hetimet paraprake janë përqendruar te konkurrenca në biznes.

Policia deklaroi se pritet këqyrja e kamerave të sigurisë së bizneseve, si dhe marrja në pyetje e pronarit të objektit për të hedhur më shumë dritë për ngjarjen. Në deklarimet paraprake që ai ka dhënë në vendin e ngjarjes, është shprehur se nuk ka konflikte apo probleme me njeri dhe nuk ka asnjë të dyshuar si autor të mundshëm të ngjarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat