Kokëdhima: Rama ka përqafuar planin e Vuçiqit, po punon për ndarjen e Kosovës

Shqipëria

Kokëdhima: Rama ka përqafuar planin e Vuçiqit, po punon për ndarjen e Kosovës

Më: 27 janar 2019 Në ora: 12:08
Kryetari i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima

Kryetari i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, i ka dhënë një intervistë televizionit A2 News, ku shpjegon qëndrimet politike në raport me ngjarjet e fundit, reformën zgjedhore, koalicionin e tryezës së partive për zgjedhje të barabarta dhe protestën e studentëve.

Kokëdhima po ashtu ka folur edhe për çështjen e Kosovës dhe zgjidhjen e problemit me Serbinë, që për një kohë të gjatë si zgjidhje e mundshme po përflitet ndryshimi i kufijve.

Sipas tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përqafuar planin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ndarjen e Kosovës.

I pyetur për të komentuar çështjen e fundit rreth mos-emërimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, dhe përplasjes mes Presidentit dhe Kryeministrit shqiptar, me arsyetimin e të parit se Cakaj ishte deklaruar pro ndryshimit të kufijve të Kosovës si zgjidhje me Serbinë, Kokëdhima thotë se qëndrimi i Edi Ramës në këtë temë është shumë i gabuar dhe anti-shqiptar.

“Qëndrimi i Edi Ramës, është një qëndrim shumë i gabuar, tërësisht anti-shqiptar. Sepse ky njeri ka përqafuar planin e Vuçiqit dhe po punon për planin e tij, për ndarjen e Kosovës. Është thjesht e vërtetë. Është një lajm i keq për ne. Por nuk është një lajm i ri ky. Ka shumë informacion për këtë çështje. Prandaj nuk flet dot ai. Ai bën sikur është OKB-ja. Kur flet për dialogun Kosovë-Serbi, dhe kur flet për çështjen e shtruar në tavolinë sot, për shkëmbim territoresh, si dhe për ndarjen e Kosovës, ai bën sikur është Kombet e Bashkuara, jo sikur është kryeministri i Shqipërisë. Ai bën sikur nuk ka qëndrime. Por thotë, unë flas për dialogun. Bën si presidenti i SHBA-së. Bën si Putini dhe si Trumpi”, deklaroi Kokëdhima.

Ai thotë se Rama kërkon njerëz servilë, që rrjedhimisht i bie që ministër i Jashtëm, ‘de facto’, do të jetë Gent Cakaj, kurse kryeministri do të jetë ‘de jure’ ministër i Jashtëm.

“Nuk ka dyshim fare kjo. Me ministrat ai bën si t’i dojë qejfi. Ai vendos vetëm lolo ministra. Po qe se nuk qenë të tillë, nuk janë ministra”, konstaton Kokëdhima.

Para disa ditësh, kreu i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në Prishtinë. U pyet nëse konstatimet që i dha më parë se Rama ka përqafuar idenë e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës janë konstatime të tijat apo të Haradinajt.

“Unë nuk e di fare se çfarë mendon kryeministri i Kosovës për këtë çështje. Nuk kam folur për asnjë person të veçantë. Për asnjë emër të veçantë. Dhe aq më pak për Edi Ramën. Sepse nuk është një person që më takon që të flas për të në takime të ndryshme. Unë kam shkuar në takim me kryeministrin e Kosovës, sepse kam respekt për Z. Haradinaj. Jo vetëm për faktin që familja e z. Haradinaj, i ka dhënë tre djem, tre vëllezër atdheut. Ka tre vëllezër dëshmorë të atdheut Ramushi dhe në këto periudha ka dëshmuar qëndrime me shumë kurajë, atdhetare dhe të mençura. Unë i kam shkruar këto. I kam bërë publike qëndrimet e mia dhe të partisë ‘Zgjidhja’. Ne mbështesim këtë qëndrim dhe këtë reagim të tij. Edhe papajtueshmërinë për planin e ndarjes së Kosovës. Edhe embargon, ose tarifën 100 për qind mbi mallrat e origjinës mbi Serbinë; Edhe përpjekjet e tij për të integruar Shqipërinë me Kosovën, për të hequr barrierat që i mbajnë shqiptarët në mënyrë të pamerituar, akoma edhe më të ndarë. Duke i vënë nga dy palë postblloqe, etj. I kam shprehur mbështetje kryeministrit të Kosovës, për qëndrimet që ka mbajtur ai dhe nuk kemi folur për qëndrimet e Edi Ramës”, deklaroi më tej kreu i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima.

Ai thotë se ideja e heqjes së kontrollit të dyfishtë në doganën Kosovë-Shqipëri është ide dhe meritë e Haradinajt.

“Unë po them që eliminimi i kontrollit të dyfishtë në kufirin Shqipëri-Kosovë, është ide, iniciativë dhe meritë e Ramush Haradinajt. Për sa i përket shkëmbimit të territoreve, ne jemi absolutisht kundër ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve. Sepse Kosova nuk ka asnjë centimetër tokë serbe brenda kufijve të saj. Përkundrazi. Kosova dhe Shqipëria janë të rrethuara nga toka historikisht të abonuar nga shqiptarët. Historikisht me mijëra vjet. Ne jemi një komb i copëtuar mes shumë shtetesh. Dy shtetet tona, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, rrethohen nga territore të lëna jashtë kufijve të tyre. Ne nuk pranojmë kurrsesi që territoret shqiptare të shkëmbehen me toka shqiptare. Ne nuk e përligjim atë që ka ndodhur historikisht me copëtimin e trojeve tona. Sot ne nuk ngremë pretendime territoriale, ndaj asnjë shteti, por nuk pranojmë që të copëtohemi më tej akoma dhe të lëshojmë më shumë pjesë të territoreve historikisht shqiptare”, tha ai.

Sipas tij, ndonëse e pranon se ekziston rreziku që me Edi Ramën kryeministër dhe ministër të Jashtëm, Shqipëria rrezikon të mbajë anën e Serbisë në këto kushte, thotë se Rama nuk guxon të dalë në këto çështje sepse s’ka kurajë që të dalë në këtë çështje haptazi.

“Nuk del dot haptazi dhe nuk ka për t’u bërë dot dëm shqiptareve dhe Shqipërisë, si dhe Kosovës, sepse janë shumë të vetëdijshëm dhe shumë të bashkuar shqiptarët. Reagimi në Kosovës është shumë i lartë. Kontestimi për këtë plan është shumë i lartë. Ju e patë vet, se kishte shumë diskutime edhe për çështjen e Ushtrisë së Kosovës. Por, mori 107 vota në Parlament dhe kjo ishte një dëshmi e qartë që në Parlamentin e Kosovës, nuk kalon asnjë plan për ndarjen”, deklaroi Kokëdhima.

Në lidhje me bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, Koço Kokëdhima, që në statutin e partisë së tij e ka bashkimin kombëtar, thotë se kjo nuk është një çështje e zgjidhur.

“Ëndrra e bashkimit kombëtar është legjitime për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, ne nuk e shtrojmë këtë as me nxitim, as me urgjencë dhe as duke sfiduar partnerët tanë ndërkombëtarë, as duke tejkaluar ose imponuar ritme dhe zhvillime të cilat nuk do ishin të mirëpritura dhe të dëshiruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian. Por, brenda të gjithë të drejtës sonë, ne do punojmë për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën sepse është e drejtë legjitime e popullit tonë, që të jetë i bashkuar në një shtet të fuqishëm, në një shtet më të madh, në një shtet të vetëm, që mund t’i garantojë, shumë më mirë, edhe interesat e shqiptarëve brenda këtij shteti, por edhe të atyre jashtë kufirit”, tha më tej ai.

Kokëdhima thotë se projekti i bashkimit kombëtar nuk është për të marrë vota, por është një vizion, një projekt i cili edhe pse nuk mund të realizohet në një ditë, për të duhet punuar çdo ditë.

“Pra, duhet të integrohemi, duhet të trajtojmë Shqipërinë dhe Kosovën si një treg. Duhet të bëjmë zhvillim ekonomik. Duhet të eliminojmë barrierat doganore. Duhet të eliminojmë dallimet e mëdha, duhet të integrojmë arsimin e kulturën, pra të ulim kostot dhe të rrisim efiçiencën. Mund të jenë institucione të përbashkëta, siç mund të jetë Akademia e Shkencave e përbashkët, siç mund të jetë ndonjë gjë tjetër. Pra, ka shumë zhvillime që mund të jenë të unifikuara. Pra, duhet të punojmë çdo ditë për të afruar Shqipërinë me Kosovën. Po të punojmë me këtë vizion, e kuptojmë se sa marrëzi është t’i vendosësh taksë kalimi, të vetmes arterie që lidh Shqipërinë me Kosovën, Rrugës së Kombit. Ajo taksë bie në kundërshtim me të gjithë integrimin dhe interesin e madh që ka Shqipëria dhe Kosova për të rritur shkëmbimet tregtare ekonomike, kulturore, arsimore e kështu me radhë”, u shpreh kreu i partisë “Zgjidhja” në këtë intervistë.

Në lidhje me emërimet e shtetasve të Kosovës ministra në qeverinë e Shqipërisë, Koço Kokëdhima thotë se kjo çështje s’ka pikë rëndësie në afrimin e shqiptareve në të dyja anët e kufirit.

“Nuk ka pikë rëndësie. Këto janë ato veprimet e Edi Ramës që nuk kanë asnjë kuptim real, nuk kanë asnjë rëndësi reale”, tha ai.

Ndërkaq, i pyetur në lidhje me shqetësimin e presidentit të Shqipërisë Ilir Meta rreth emërimit të Gent Cakajt ministër të Jashtëm, Kokëdhima tha se nuk dëshiron të komentojë fare këtë temë.

“Më lejo të them një gjë. Në kulturën time është prirja për t’i mbështetur vendimet dhe veprimet e kryetarit të Shtetit, si simbol i unitetit dhe i bashkimit kombëtar. Historikisht, unë në sjelljen time kam rezervuar një respekt të veçante për të gjithë Presidentët e Shqipërisë. Nga kjo pikëpamje jam i prirur që të shoh pozitivisht çdo vendim që merr Presidenti i Shqipërisë dhe cilido President i Shqipërisë. Nuk kam ndonjë arsye që të dyshoj tek kjo çështje. Unë mendoj se, si me z. Cakaj edhe pa të, ministri i Jashtëm i Shqipërisë do të ishte Edi Rama. Siç është që në çdo ministri, ai i mban ministrat vetëm për të firmosur, i lë të bëjnë korrupsion, i lë të bëjnë hajdutëri, i lë të bëjnë pará, i komprometon dhe pastaj i përdor gjithmonë dhe kur nuk e rrezikojnë, e në fund nuk e ka problem që t’i flakë”, u shpreh Kokëdhima.

Në lidhje me Edi Ramën si kryeministër dhe punën e tij në këtë drejtim, Kokëdhima tha se ai është autokrat, i korruptuar dhe i inkriminuar.

“Ai është një autokrat. Është një person i korruptuar e i inkriminuar, një person mafioz, i lidhur me lloj-lloj kriminelësh, një person që ka shkatërruar administratën e shtetit, një person që ka shkatërruar Partinë Socialiste, ka shkatërruar institucionet, Republikën, zgjedhjet, gjithçka. Ai është problem për Shqipërinë. Unë nuk pres zgjidhje nga ai. Ai është një manipulator që gënjen, është i pasinqertë dhe i pandershëm në të gjitha komunikimet publike. Ai e ka shkatërruar autonominë dhe lirinë e universiteteve. Nuk ka ndërmend të rregullojë ndonjë gjë. Ai përpiqet të kontrollojë gjithçka, çdo lloj pasurie në këtë vend. Unë nuk i besoj përrallat që thotë ai. Premtimet e tij janë shumë minimaliste dhe duhen plotësuar. Qeveria nuk po i plotëson dhe nuk ka për t’i plotësuar. Lëvizja studentore për mua është shumë e drejtë. Ajo është një shuplakë për të gjithë shoqërinë shqiptare. Një shoqëri e kalbur. Një shoqëri e pavetëdijshme dhe e pandërgjegjshme. Një shoqëri që gëlltit gjithë këto sjellje të shëmtuara të këtij pushteti, të kësaj qeverie dhe të kësaj elite politike”, theksoi kreu i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima.

“Rama vetë nuk ka lidhje me Kushtetutën. Është një atentator ndaj Kushtetutës dhe lirive republikane, është një armik i Republikës dhe një autokrat. Ai është i thjesht i pabesueshëm në këtë që bën. Unë nuk bëj zbulime. Unë thjesht bëj lexime. Unë lexoj sjelljet, veprimet dhe iu vë atyre emrin që kanë. Rama në pushtet, ka dëshmuar të gjithë këtë profil që unë shpjegova. Gjithë këtë sjellje, plot armiqësi me liritë e tregut, me liritë politike, me liritë ekonomike dhe me liritë njerëzore në vendin tonë”, tha ai.

“Unë e kam komentuar 2-3 herë çështjen e Qeverisë Rama. Në përgjithësi ministrat që u zgjodhën, ishin njerëz me profil të ulët, por nuk mund të jetë ndryshe. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Nuk bën ndonjë ndryshim, nëse është Rama ministër i Jashtëm, apo do është dikush tjetër. Gjithë zgjedhjet që bën Rama janë të tilla, sepse ai zgjedh vetëm lajkatarë, servilë, njerëz të bindur, që zbatojnë çdo urdhër, pavarësisht ligjit. Zgjedh njerëz që nuk kanë ndonjë arsye për të qenë atje ku i emëron, por për të përligjur pretendimin e tij se ky është Zoti, ky është dielli, ky është shiu, ky është era”, u shpreh ish-anëtari i Partisë Socialiste të Edi Ramës, Koço Kokëdhima.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat