Përmirësohet liria ekonomike në Shqipëri, por administrata e korruptuar

Shqipëria

Përmirësohet liria ekonomike në Shqipëri, por administrata e korruptuar

Më: 28 janar 2019 Në ora: 08:47
Foto ilustruese

Shqipëria renditet e 52-ta në botë për sa i përket raportit të Treguesit të Lirisë Ekonomike për vitin 2019 të “Heritage Foundation”, duke u përmirësuar me 13 vende krahasuar me një vit më parë.

Vlerësimi i lirisë ekonomike të Shqipërisë është rritur me 2 pikë duke e çuar atë në 66.5 pikë. Në raportin e hulumtuar nga gazetari i A2 CNN Ilir Sinanaj thuhet se për të promovuar kandidaturën e saj në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka qenë duke kaluar në një sistem ekonomik më të hapur dhe fleksibël, duke zbatuar ristrukturime të ndjeshme.

Por ndërkaq në raport theksohet se Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfëra të Evropës, me një rritje ekonomike të ngadaltë, e cila pengohet nga një ekonomi informale e madhe si edhe një infrastrukturë energjetike dhe transporti të dobët. Gjithashtu për Shqipërinë raporti thotë se papunësia e lartë dhe një mungesë mundësish nxisin një emigrim të ndjeshëm.  

Kritikë i bëhet edhe legjislacionit shqiptar të pronave, që raporti e vlerëson “të dobët” dhe nënvizon se procedurat për regjistrimin e pronave nuk janë efikase. Po kështu nuk kursehet as administrata publike, që sipas raportit të “Heritage Foundation” vazhdon të pllakoset nga mungesa e efikasitetit, paaftësia dhe korrupsion i gjerë.

Raporti i plotë: Treguesi i Lirisë Ekonomike 2019 për Shqipërinë


Vlerësimi i lirisë ekonomike të Shqipërisë është 66.5, duke e bërë ekonominë e saj të 52-tën në botë, për sa i përket lirisë, në Treguesin e 2019-s. Vlerësimi i përgjithshëm është rritur me 2.0 pikë, i udhëhequr nga përmirësime të ndjeshme për vitin e dytë radhazi në shëndetin fiskal dhe vlerësime më të larta në efikasitetin juridik, lirinë e punës dhe shpenzime qeveritare. Shqipëria renditet e 27-ta ndër 44 vende në rajonin e Evropës, dhe vlerësimi i saj i përgjithshëm është nën mesataren rajonale por mbi mesataren botërore.

Për të promovuar kandidaturën e saj në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka qenë duke kaluar në një sistem ekonomik më të hapur dhe fleksibël, duke zbatuar ristrukturime të ndjeshme. Progresi në rritjen e të ardhurave dhe ulja e varfërisë ka qenë i konsiderueshëm. Një regjim tregtar konkurrues i mbështetur nga një strukturë rregulluese relativisht efikase ka inkurajuar zhvillimin e sektorit sipërmarrës në rritje. Për të mbajtur të qëndrueshëm këtë progres, qeveria planifikon reforma shtesë për të përmirësuar sundimin e ligjit, për të inkurajuar rritjen e lirisë ekonomike dhe për të siguruar   zhvillim ekonomik gjallërues të vazhdueshëm.

Panorama e vendit

Kombi ballkanik i Shqipërisë ndryshoi nga sistemi komuniste në demokraci shumëpartiake në vitin 1991. Gjendja politike u stabilizua pasi skemat piramidale e lejuara nga shteti ranë në vitin 1997. Edi Rama u bë kryeministër në vitin 2013, dhe Partia Socialiste e tij fitoi mazhorancën parlamentare në vitin 2017. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka ngecur në mungesë të reformave shtesë për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit. Ekonomia mbizotërohet nga sektori bujqësor, tek i cili punëson gjysmën e fuqisë punëtore. Por edhe sektorët e shërbimeve dhe turizmit sa vijnë e bëhen të rëndësishëm. Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfëra të Evropës, me një rritje ekonomike të ngadaltë, e cila pengohet nga një ekonomi informale e madhe si edhe një infrastrukturë energjetike dhe transporti të dobët. Papunësia e lartë dhe një mungesë mundësish nxisin një emigrim të ndjeshëm.  

Sundimi i Ligjit

Legjislacioni për pronat është i dobët. Procedurat për regjistrimin e pronave nuk janë efikase. Gjyqësori i pavarur i nënshtrohet trysnisë politike, kanosjes dhe burimeve të kufizuara, por një rishikim i një të tretës së kushtetutës në vitin 2016 përfshiu reformën gjyqësore më domethënëse që pas rënies së komunizmit. Kriminelë të dënuar me vendim të prerë nuk mund të mbajnë poste publike, por administrata publike vazhdon të pllakoset nga mungesa e efikasitetit, paaftësia dhe korrupsion i gjerë.

Buxheti dhe taksimi

Taksa e të ardhurave më të larta individuale është 23%, dhe niveli me i lartë i taksimit për korporatat është 15%. Taksa të tjera përfshijnë ato të vlerës së shtuar dhe taksat e trashëgimisë. Barra e përgjithshme fiskale është e barabartë me 24.9% e të ardhurave të përgjithshme të brendshme. Gjatë tre viteve të shkuara, shpenzimet qeveritare kanë kapur vlerën e 29.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit dhe deficitet buxhetore janë të një mesatareje prej 2.4% të PBB-së. Borxhi publik është i barabartë me 71.2% të PBB-së.

Efikasiteti rregullues

Procedurat për hapjen e bizneseve të reja (start-up) janë bërë më pak të kushtueshme dhe nuk kërkohet më një kapital minimal për të hapur një kompani. Kërkesa për punë në ekonominë formale, e cila ka një nivel shumë të lartë vetëpunësimi, ndikohet ndjeshëm nga sektori publik. Qeveria vazhdon të bëjë një tërheqje nga subvencionimi dhe kontrollet e çmimit për energjinë elektrike, ujin dhe transportin por vazhdon të subvencionojë së tepërmi sektorin bujqësor.

Tregjet e hapura

Vlera e përbashkët e eksporteve dhe importeve është e barabartë më 78.1% e PBB-së. Niveli tarifor i aplikuar mesatar është 1.1%. Që nga data 30 qershor 2018, sipas Organizatës Botërore të Tregtisë, Shqipëria ka 196 masa jotarifore në fuqi. Kufizimet burokratike pengojnë investimet. Shumica e bankave kanë pronësi të huaj. Sistemi bankar ka përfituar nga konkurrenca e rritur dhe mbetet i qëndrueshëm, por numri i kredive të këqija pengon rritjen e kreditimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat