Denaj: Në 9 muaj, rritje ekonomike me 4.4%

Shqipëria

Denaj: Në 9 muaj, rritje ekonomike me 4.4%

Më: 28 janar 2019 Në ora: 17:37
Anila Denaj

“Investimet totale gjatë vitit 2018 u rritën me rreth 3.89%”, deklaroi sot ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, ndërsa theksoi se “vetëm për tremujorin e tretë të vitit 2018 norma e rritjes për investimet u zgjerua në 5.40%”.

Duke raportuar para komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Denaj tha se “edhe gjatë këtij viti, ekonomia vijoi të ndjekë trendin përshpejtues të ritmit të rritjes”. Sipas saj, në 9 muajt e parë të vitit 2018 ekonomia u rrit në terma real me rreth 4.4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

“Gjatë kësaj periudhe, po sidomos për tremujorin e tretë, kërkesa e brendshme është nxitur kryesisht nga kontributi i konsumit, po në një masë të konsiderueshme edhe nga ai i investimeve totale në ekonomi”, tha Denaj.

Po ashtu, konsumi final total, i cili përbën peshën më të madhe në ekonomi, u rrit me rreth 2.83% në terma real vjetorë përgjatë nëntë muajve të parë të 2018, ndërsa konsumi final i popullatës u rrit me rreth 3.41%.

“Vlen për tu përmendur se, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, pas publikimit të rritjes ekonomike për tremujorin e tretë, ka rishikuar për herë të dytë në rritje projeksionin e saj për 2018-tën duke e çuar në nivelin 4.2%”, tha ajo.

Performanca e mirë ekonomike ka sjellë zhvillime pozitive edhe në tregun e punës. “Sipas statistikave të anketës së forcave të punës nga INSTAT, norma e papunësisë (për grup moshën 15-64 vjeç) ka vijuar trendin e saj rënës që prej T1-2014 ku regjistroi vlerën e saj më të lartë prej 18%, duke zbritur tashmë në nivelin 12.7% në T3-2018. Punësimi deri në tremujorin e tretë të vitit 2018 u rrit me 21.5 mijë të punësuar krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë”, tha ajo.

Po ashtu, sipas ministres, “komponenti më i rëndësishëm pozitiv ishin flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte (IHD)”. “Këto të fundit rezultuan me një rritje me rreth 11.6% kundrejt nëntë muajve të parë të 2017, një sinjal ky mjaft pozitiv për perceptimin e investitorëve të huaj mbi ekonominë tonë”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat