Fund zvarritjes 13-vjeçare, ankohet në platformë dhe merr lejen e legalizimit

Shqipëria

Fund zvarritjes 13-vjeçare, ankohet në platformë dhe merr lejen e legalizimit

Më: 30 janar 2019 Në ora: 11:00
Foto ilustrim

Që prej vitit 2005 një qytetar nga Tirana kishte vetëdeklaruar banesën pranë ALUIZNI-t, por nuk pajisej me lejen e legalizimit, pavarësisht se gjithçka në dokumentacionin e tij ishte në rregull.

Pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes, qytetari Hasan Stolja mori në dorë pas 13 vitesh lejen e legalizimit.

Në takimin e përjavshëm të Kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e bashkëqeverisjes, ishte vetë qytetari që paraqiti rastin e tij dhe zgjidhjen që mori përmes kësaj platforme.

Ai tha se kishte vetëdeklaruar shtëpinë e tij të banimit pranë ALUIZNI-t Tirana – Veri në vitin 2005, dhe nuk kishte mundur të pajisej me lejen e legalizimit.

Pas shumë zvarritjesh, Stolja iu drejtua platformës në datën 10 maj 2018 dhe afatet e ndjekjes së rastit u tejkaluan. Insistimi i vazhdueshëm i Platformës mundësoi emetimin e lejes së legalizimit në datën 29 janar 2019.

“Nuk kam lënë zyrë pa hyrë e pa dalë, madje më kishin çuar edhe banor në Kashar”, tha qytetari, i cili tashmë ka dorëzuar dokumentet pranë ZRPP Tiranë për regjistrimin përfundimtar të pronës.

Kryeministri theksoi se “zgjidhja merret falë besimit të investuar tek ky proces dhe falë votës së shumicës që i hapi rrugë këtij procesi”.

Ky ishte një proces i përqeshur dhe i trajtuar me cinizëm në mënyrë të vazhdueshme madje duke u parë rëndom si ekstraligjor, tha Rama, duke shtuar se, “tashmë është është procesi që po zgjidh mijëra halle që ndryshe nuk do të ishin zgjidhur”.

Falë platformës, tha ai, ne “po u japim mundësi mijëra njerëzve që të bëhen të fortë falë mikut më të madh që është qeveria, e cila menjëherë vihet në dispozicion sapo një qytetar klikon në platformë”.

Paralelisht, vijoi Rama, “ne duhet të ngremë një sistem funksional duke bashkuar hipotekat dhe ALUIZNI-n”.

‘Ne jemi në procesin e bashkimit dhe kthimit të një agjencie të vetme për t’i dhënë fund ping-pongut mbi 20-vjeçar mes të dyja zyrave dhe për të garantuar shumë më shpejt dhe në mënyrë më sistematike, të drejtën e qytetarëve. Por, hallet e njerëzve nuk presin ndaj platforma është në dispozicion që gjithkush të mos sorollatet, por të vendoset drejtpërdrejt në lidhje me qeverinë”, tha Rama.

Rastet e lidhura me të drejtën e pronës, sipas tij, “janë raste të qytetarëve që falë platformës vënë menjëherë në lëvizje Ministrinë e Drejtësisë dhe strukturat brenda ekipit të bashkëqeverisjes dhe e kthejnë qytetarin nga një individ të keqtrajtuar për vite të tëra në korridoret e administratës në qytetar plotësisht të respektuar që e merr brenda 10 ditësh atë që nuk ka marrë në 10 apo 15 vite”. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat