Veliaj në “Qytetin Studenti”: Së shpejti lirojmë hapësirat e zëna

Shqipëria

Veliaj në “Qytetin Studenti”: Së shpejti lirojmë hapësirat e zëna

Më: 31 janar 2019 Në ora: 14:29
Erion Veliaj

Dy godina të tjera konviktesh në Qytetin Studenti po i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë, për kushte më të mira jetese dhe studimi për studentët. Kështu njofton Bashkia e Tiranës e cila shkruan se pas konvikteve 5, 6, 20 dhe 21, ka nisur punën edhe për rikonstruksionin e godinave 27 dhe 28.

Sipas njoftimit, Kryebashkiaku Erion Veliaj ka inspektuar dje punimet në të dyja godinat.

“Jemi duke vazhduar, sipas premtimit për “Paktin e Universitetit”, me të gjitha ndërhyrjet në konvikte. Siç premtuam, se brenda janarit do të kishte filluar puna me themel, kur vjen puna tek hapësirat e përbashkëta, dushet, hapësirat e banjave, pajisjet higjieno-sanitaret, të gjitha sallat e leximit, korridoret dhe fasadat. Në disa ndërtesa si këto, nuk është vënë dorë që në vitin ’89, kur janë bërë për herë të parë, madje edhe atëherë janë bërë me punë vullnetare. Fakti që sot i kemi hyrë me themel mjediseve të përbashkëta dhe presim lirimin e dhomave në korrik, për t’i hyrë me themel edhe dhomave, besoj është një lajm i shkëlqyer dhe një nga arritjet e Paktit me Universitetin”, citohet të ketë thënë tha Veliaj.

“Ai shprehu mirënjohjen për të gjitha bizneset dhe donatorët që i janë bashkuar thirrjes së Kryeministrit dhe Bashkisë së Tiranës për të adoptuar konviktet dhe për të kontribuar në përmirësimin e kushteve të tyre” – njofton Bashkia Tiranë.

Veliaj ka kërkuar mirëkuptimin dhe solidaritetin e qytetarëve të Tiranës për këto investime dhe theksoi se shumë shpejt do të nisë puna edhe për lirimin e hapësirave të zëna, për t’i hapur rrugë ndërtimit të Kampusit Universitar.

“Kemi filluar fazën e njoftimeve për ata që duhet të lirojnë territoret. Për ata që kanë bërë letrat pas zaptimit, do të duhet të operojmë me shpronësimet. Askujt nuk i pëlqen të shpenzojë para të taksapaguesve për shpronësimin e atyre që kanë zaptuar, por ligjet janë këto që janë dhe ne do të bëjmë më të mirën që kostot të jenë minimale, dhe fitimi të jetë maksimal për lirimin e këtyre hapësirave”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat