‘Edhe unë jam Haradinaj’, Kokëdhima mbështet kryeministrin e Kosovës për mosndryshimin e kufijve

Shqipëria

‘Edhe unë jam Haradinaj’, Kokëdhima mbështet kryeministrin e Kosovës për mosndryshimin e kufijve

Më: 31 janar 2019 Në ora: 15:24
Ramush Haradinaj dhe Koço Kokëdhima

Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, mbështeti qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që të mos pranohet asnjë marrëveshje me Serbinë që do të thotë marrje të trojeve të Kosovës nga Beogradi, apo enklava serbe brenda shtetit, në këmbim të njohjes nga Serbia.

Kokëdhima iu referua fjalimit të Haradinajt në Junik, ku tha se serbët kanë kërkuar tokë në veri të Kosovës në këmbim të njohjes. Kreu i ZGJIDHJA-s u bëri thirrje shqiptarëve që të mbështesin pa rezerva qëndrimin e Haradinajt, si i vetmi qëndrim i ndershëm dhe patriotik.

Statusi i Kokëdhimës 

Edhe unë jam Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush, Haradinaj deklaroi gjatë një fjalimi në një akademi përkujtimore në Junik se Kosova nuk mund të japë as tokë dhe as të pranojë republikë serbe brenda kufijve të saj në këmbim të njohjes nga Serbia, siç duan t’i imponohen partnerët perëndimorë. 

‘Nëse duan të rikthejnë tregun, ne e duam njohjen. Nuk jam duke e tepruar apo duke u prishur me ndonjë mik. Ne po veprojmë ashtu siç vepron bota moderne: më jep njohjen-ta kthej tregun. Është mirë që ne të jemi të sinqertë me miqtë tanë, me SHBA-në, me Evropën dhe të tregojmë arsyen e marrjes së këtij vendimi. 

Kanë kërkuar që të jepet tokë. Kanë kërkuar veriun, ku janë minierat, është pasuria. Sot, nuk kryejnë shumë punë, por ndoshta në të ardhmen, janë shumë jetike për Kosovën. Ose është thënë se nëse nuk jepni tokë, jepni një Republikë brenda Republikës’-deklaroi Haradinaj. 

ZGJIDHJA e ka theksuar vazhdimisht se kombi shqiptar nuk mund të japë më copa trojesh në këmbim të integrimit në BE. Politikanët e Kosovës gabuan një vit më parë kur pranuan marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, duke falur mbi 8200 hektarë truall shqiptar në këmbim të liberalizimit të vizave. Kjo e fundit as nuk ndodhi dhe as nuk ka gjasa të ndodhë shpejt dhe vendet e BE-së që janë pjesë e marrëveshjes së zonës Shengen po shtojnë kushte të tjera, siç është edhe marrëveshja me Serbinë. 

Përgjatë shekujve kombi shqiptar është ndarë në copa të gllabëruara nga fqinjët dhe të noterizuara me traktatet e Fuqive të Mëdha. Ai është cunguar, shtypur, përzënë dhe asimiluar. Por tani mjaft! Çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot, duhet ta fshijë nga mendja se pavarësia e një kombi fitohet duke humbur troje. Ai duhet të mendojë si kryeministri i Kosovës dhe të thotë me krenari “Edhe unë jam Haradinaj”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat