Si u “shthur” kuvendi shqiptar, zbardhen debatet e plota: Rri aty, mos na çaj tra*in

Shqipëria

Si u “shthur” kuvendi shqiptar, zbardhen debatet e plota: Rri aty, mos na çaj tra*in

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 23:06
Edi Rama dhe Sali Berisha

Seanca e djeshme parlamentare riktheu pas një kohe të gjatë debatin e ashpër ndërmjet Kryeministrit Rama dhe paraardhësit të tij në krye të ekzekutivit, Sali Berisha.

Seanca nisi me kërkesën e opozitës për ta shtyrë me 30 minuta zhvillimin e debatit parlamentar, e cila u miratua nga mazhoranca. Ky dakordësim nuk e shoqëroi pjesën tjetër të punës parlamentare. Që në hapje të saj, Sali Berisha kërkoi praninë e Kryeministrit Rama në sallë për të debatuar lidhur me vizitën e tij të fundit në Gjermani. Por Kryeministri u erdhi në sallë 2 orë pasi gjakrat e deputetëve ishin ndezur.

Tensioni i parë ishte momenti kur fjalën e mori ministrja e Financave, Anila Denaj, ku opozita kërkoi ndërprerjen e seancës deri në ardhjen e Ramës. Tensioni i dytë, që ishte edhe degjenerimi i fjalori parlamentar, ishte ai ndërmjet Petrit Vasili dhe Ulsi Manjës. Një debat që nisi nga hiçi, por që kaloi në ofendime ndërmjet të dyve. Por këto ishin vetëm fillimi i asaj që do të ndodhte më pas.

Ardhja e Ramës në sallë dhe akuzat, që kishte ngritur opozita gjatë mungesës së tij, bëri që kreu i ekzekutivit të dilte në foltore me një deklaratë të fortë ndaj Berishës, duke i thënë këtij të fundit se i është refuzuar viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo deklaratë e Ramës u hodh poshtë nga Berisha, duke e shoqëruar me një lum akuzash që për bazë kishin lajmin e “Zërit të Amerikës” dhe përgjimet që kishin dalë në media.

Rama, nga ana e tij, vijoi me të njëjtin çështje, duke i kërkuar Berishës shpjegime për refuzimin e vizës për të hyrë në SHBA. Akuzat ndërmjet tyre kaluan deri në personale, duke përmendur edhe pjesëtarë të familjeve. Gazeta “Panorama” sjell debatin e plotë dhe pa mikrofon gjatë seancës së djeshme.

KËRKESA PËR PUSHIM

Alibeaj: Do të doja 30 minuta pushim, do të bëjmë mbledhje grupi. Ne kemi të nevojshme 30 minuta pushim për të përcaktuar edhe çështje që kanë lidhje me rendin e ditës për mbarëvajtjen e saj.

Balla: Kërkesa e një Grupi Parlamentar për të kërkuar pushim është e lidhur me një çështje lidhur me rendin e ditës. PD mos ta bëjë qesharake zhvillimin normal të një seance plenare. Thojeni troç, e keni vënë Bashën të parë në listë dhe ai nuk e kap orën 10 dhe pastaj kërkoni mbledhje grupi.

DEBATI PËR VOTAT

Basha: Kur e lidh fatin me Ymer Lalën nuk të çahet koka për dibranët e thjeshtë. Kur e lidh fatin me Emiljano Shullazin dhe Dritan Dajtin nuk të bëhet vonë as për pensionistët dhe as banorët e Tiranës dhe as të Astirit apo ato Bulevardit të Ri. Është fare e qartë çfarë ka ndodhur, nëse mendoni se mund ta shtyjmë kështu është gabim.

Reme Lala – Bashës: Sa për Ymer Lalën, Lulzim Basha i ke thënë Taulant Ballës se me ndjesinë e prindit do të të kisha futur një grusht, unë po të them se me dashurinë për babain tim dhe krenarinë që kam se jam vajza e Ymer Lalës do t’i them një ditë të gjitha. Sa herë e ke kërkuar ti Ymer Lalën për të takuar dhe bashkëpunuar. Me data e emra të saktë. Atyre njerëzve dhe miqve të nderuar, që do të kenë burrërinë të thonë sa herë ke kërkuar takim me Ymer Lalën.

Basha – Reme Lalës: Teatër i shëmtuar ky që dëgjuam këtu sot. Del një gjoja deputete dhe bën një gjoja pyetje dhe flet gjoja e deleguara e Qarkut Dibër dhe kthen gjoja përgjigje, është thjesht prishur pazari. Dhe ai që ua shtrëngon fijet të dyjave, në veçanti të deleguarës së Dibrës ndonjë pazar tjetër. Siç është prishur pazari tek Unaza, e morët vesh apo jo. Është futur një fatkeq dhe ka ofruar 5 milionë euro më pak se ai që do fitonte tenderin. Ishte përcaktuar që do ta merrte Gjoka dhe kapari është paguar.

Berisha – Reme Lalës: Së fundi, dy fjalë do t’i them asaj deputetes këtu. Ti i di konsideratat që i kam shprehur për babën tënd. Por kam një mesazh: I thuaj, të lumtë dora Imer, ia ka bërë shpinën më të butë se barku Muharrem Ramës. Kryetarit të bashkisë që e vuri bashkë me këtë. Për këtë ka përgëzime.

DEBATI PËR VIZËN AMERIKANE

Berisha: Kam një pyetje për Edi Ramën, sa aksione ka gruaja jote tek “ABI Bank”?

Balla: Sa vdes për Lulin. Eh, mër Sali, mër Sali, ky ta mori në qafë partinë.

Rama: Saliu këtu e nisi fjalën e tij me Amerikën dhe më bëri mua një pyetje të drejtpërdrejtë për bashkëshorten time. “ABI Bank” është një bankë, e cila monitorohet drejtpërdrejt nga Enti Rregullator i Bankave në SHBA dhe nëse bashkëshortja ime do të ishte aksionere, të jesh i sigurt që mua nuk do më lejonin të kapërceja oqeanin. Ti Sali e kapërcen dot oqeanin me dash? Hajde, përgjigju. Ta dhashë përgjigjen e drejtpërdrejtë, m’u përgjigj drejtpërdrejt. Ti mendove që gjithë jetën do ta kalosh detin në këmbë, po oqeani nuk është Valbona, ku ti dhe leje për hidrocentrale dhe tani fshihesh si skuth dhe atyre tropojanëve të tu s’ke fytyrë t’u dalësh përpara dhe t’u thuash që jam unë autori i saj. Ju të tjerët jeni të mirëkuptuar se ju hani përsheshin e Saliut. Tani kemi lugën e Saliut dhe ju jeni në rregull.

Berisha: Na thuaj pak, Madam Basha ka aksione në bankën offshore? E dyta, na thuaj pak si shkove dhe u ktheve me bisht në shalë në Berlin dhe s’të dhanë asnjë takim. E treta, unë u largova nga aktiviteti dhe kam refuzuar çdo lloj ftese. Unë përfaqësoj zgjedhësit në këtë Parlament dhe kudo tjetër unë jam person privat. Kam marrë përtej oqeanit ftesa nga shumë njerëz. Unë i kam ndërprerë udhëtimet zyrtare. Nuk kam pse të bëj udhëtim zyrtar sepse nuk jam person që përfaqësoj një forcë politike, por përfaqësoj veten time. Unë marr ftesa, por nuk udhëtoj për qëllime zyrtare. Unë udhëtoj kur të më teket. Me SHBA kam arritur aty ku ti nuk arrin dot kurrë. Nuk i kam thënë turp i qytetërimit tjetrit, siç i ke thënë ti Donald Trump dhe pastaj ke paguar 20 milionë euro për ta takuar.

Rama: Unë nuk të pyeta nëse ke marrë ftesa nga SHBA. Nga ana tjetër, duke menduar për të dhënë përgjigjen pa dhënë përgjigje, bëre një gabim. Mënyra se si përgjigjesh më bën të mendoj që ka një problem. Sidoqoftë, bërë mirë që u përgjigje ashtu. Por ki kujdes, sepse e mbyll fjalën me një çështje, e cila s’kishte lidhje fare me pyetjen time dhe s’kishte lidhje fare me shqetësimin tënd. The që unë i paskam hyrë një loje të rrezikshme. Madje, më ngatërrove mua me Lulin. Por është Luli që ka paguar para Sali përmes miqve rusë për të bërë një fotografi.

Spaho: Ti ike, e takove si nuse.

Paloka: Ti ike takove Presidentin e Amerikës si gruaja e Bilalit. O dashnorja e Bilalit, boll fole.

Rama: Akuza jote, se unë kam paguar 20 milionë dollarë për të takuar Presidentin e Amerikës, rëndon Presidentin e Amerikës dhe jo mua sepse Presidenti i Amerikës është i ndaluar të bëjë një veprim të tillë. Po ti s’e ke problem sepse tashmë çështja e vizës është përcaktuar. Por po të them një gjë Sali, SHBA ti i ke sfiduar disa herë, i ke sfiduar edhe këtë në këtë foltore kur i ke quajtur autorët e rrëzimit tënd bashkë me të ndjerin Bashkim Gazidede dhe me të mirënjohurin Blerim Çela. Më kujtohen fjalimet tuaja pas zgjedhjes së Donald Trump-it. Jeni si kalamajtë e lagjes, që i thoni atij të madhit, aman hajde se do na rrahin. Sali, edhe një herë po të them, “ABI Bank” është bankë amerikane, e cila kontrollohet nga Enti i Bankave të Amerikës.

Noka – Ramës: Mos mashtro!

Rama – Berishës: Ti je njeri që je marrë me gratë, je marrë me vajzat, je marrë me kalamajtë, je marrë me mbesat, ti je njeri që s’ke Kanun, je njeri që s’ke Kushtetutë, je njeri që s’ke moral, por ti gruas sime dhe familjes sime i ha atë që nuk thuhet.

Berisha: Ti je një copë fundërrinë, që u merr shokëve gratë. Ti je i pafytyrë që merr gruan e shokut. Ti ke shkelur çdo normë, çdo moral, mor horr. Ti je njeriu që mohon djalin tënd, që ke akuzuar babanë tënd për përdhunues. Ti je fundërrinë njerëzore. Përsa i përket asaj që thuhet, po ju them, “ABI Bank” është bërë me fond 500 milionë dollarë. “ABI Bank”, në kundërshtim flagrant me ligjet e Shqipërisë, është e vetmja bankë offshor. Në bordin e saj ishte dhe e hoqën prej leckash zonjën Basha. Zëri i Amerikës thotë se karrigia jote qëndron mbi krimin. Del këtu dhe shan si rrugaç ordiner, duke dëshmuar një moral më të ulët njerëzor. Je ti që merr gruan e shokut tënd, o i pafytyrë! Ti je një skizofren, o kafshë!

Ruçi: Ulu zoti Berisha, mbaroi koha!

Spaho: Hapja mikrofonin Berishës!

Rama: Vetëm ilustrove atë që thashë. Ilustrove që nuk ke lidhje me asnjë libër të vjetër apo të ri të bashkëjetesës shqiptare. Ti së bashku me disa rreth teje ke fabrikuar një dokument fals, sipas të cilit, unë kam bërë gjyq dhe kam mohuar atësinë e djalit tim. Je ti që ke bërë këtë gjë, je ti që ke shkaktuar këtë gjë. Je ti që ke bërë këtë gjë. Je ti që ke shkaktuar dhimbje e lot në familjen time. E ndolle Sali. Vizat e bardha, vizat e mallit, e ndolle. Unë nuk kam lidhje as me vizat e mallit dhe as me vizat e bardha, ti shiko vizën e kuqe që të ndan matanë oqeanit.

Berisha: Të kthehemi te debati i tij me Besnik Mustafain. Tri gjëra nuk bëhen tha; nuk vras, nuk vjedh dhe nuk marr gruan e shokut. Ia ke thënë apo nuk ia ke thënë, o i pafytyrë. Fol këtu! Dokumentet t’i ka botuar Ymer Baze që të mban peng, qoftë me dosjen e djalit dhe të rri gjithë ditën në zyrë dhe të zhvat çdo favor sepse ka origjinalet. I ke të botuara dhe prapë i ke të ribotuara. Nuk është këtu Ilir Meta se është në Presidencë. Meta ka deklaruar se të ka detyruar të njohësh djalin se përndryshe s’do të votonte për kryetar bashkie. Të ka detyruar t’i japësh kafshatën. Edhe kafshën, edhe derrin, edhe lopën, edhe gomarin, edhe qenin po ta shohësh që nuk kujdeset për këlyshin do ta heqësh qafe. Ky ishte për t’u hequr qafe që atëherë. Ai që ia bëri, ai rri gjithë ditën në zyrën e tij.

Balla: Viza Sali, viza…

Noka: Hapja mikrofonin!

Ruçi: Ulu Flamur, nuk je bodigard. Zoti Berisha, ulu.

Noka: Hapja, mor, mikrofonin.

Ruçi: Nuk hapet mikrofoni. Nuk e hap as me urdhër, as me presion dhe as me intimidim.

SHARJET VASILI – MANJA

Vasili: O Gramoz, hiqi këto, ça janë këto këtu (për shërbimin e Gardës)?

Ruçi: Vazhdoni zoti Vasili, ata kanë punën e tyre.

Manja – Vasilit: Ec e fol…

Vasili – Manjës: Rri aty, mos na çaj trapin! Ulu aty, mos na çaj bythën! Ulu aty po të them, budalla, po na tregon sallën e Parlamentit ti.

Manja: S’më flet dot ti mua ashtu. Kam qenë prokuror para se të vija këtu, s’më tregon ti mua ligjet.

Ruçi: Zoti Manja, ulu në vend!

Vasili – Manjës: Skam punë fare me ty, flas me kryetarin e Kuvendit. Ik ere, mos na çaj… do e mbledhësh këtë ti.

Ruçi – Vasilit: Vazhdo fjalën…

Vasili – Ruçit: Mbaj standardin, ja, më ofendoi, merr masa. Ofendoi në sy të gjithëve.

Ruçi: Ai është ulur në vend, ti thua mbaj standardin. Ore zotëri, ai është ulur atje dhe s’po flet. Hajde, vazhdo fjalën. Vazhdo, mos më shiko ashtu!/Panorama

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat