15 hapat për arrestimin e deputetëve, si ndryshojnë rregullat

Shqipëria

15 hapat për arrestimin e deputetëve, si ndryshojnë rregullat

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 10:48
Kuvendi i Shqipërisë

Në 12 janar të 2018, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, depozitoi një projektvendim në Kuvend, për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, sa i takon procedurave, kushteve dhe hapave që duhet të ndiqen, për dhënien e autorizimit Prokurorisë për arrestimin, kontrollin personal apo kontrollin e banesës së deputetit. Një vit më vonë, shumica në Konferencën e Kryetarëve vendosi përfshirjen e projektvendimit në axhendën e punimeve të Kuvendit, ndërsa Komisioni i Ligjeve mori ditën e mërkurë në shqyrtim nismën.

Ndryshimi më i rëndësishëm konsiston në riformulimin e nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, ku përcaktohen 15 hapat për lejimin ose jo të Prokurorisë për arrestimin e një deputeti dhe kontrollin e banesës së tij.

Në pikën 1 të nenit 118 të ndryshuar, saktësohet se kërkesa e prokurorisë për të marrë autorizimin nga Kuvendi për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg ose në shtëpi, heqjes se lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës të deputetit, përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me prova.

Në rregulloren në fuqi, nuk përmendeshin prova, por vetëm materiale shoqëruese. Deri më tani Prokuroria ka kërkuar arrestimin e deputetëve bazuar në indicie dhe dyshime të arsyeshme. Në relacionin e projektvendimit, përfaqësuesi i shumicës parlamentare Taulant Balla, në emër të grupit socialist, thekon se ky ndryshim bëhet për të përputhur Rregulloren e Kuvendit me ndryshimet kushtetuese të miratuara me 140 vota në verën e vitit 2016.

“Në kushtet kur Kushtetuta ka pësuar ndryshime, në mënyrë të veçantë kufizimi i imunitetit për deputetët, ndryshimet e reformës në sistemin e drejtësisë, përbën domosdoshmëri reflektimi i tyre edhe në Rregulloren e Kuvendit. Krahas reflektimit të ndryshimeve kushtetuese, domosdoshmëri për Kuvendin përbën edhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencës së saj. Për sa më lart, grupi parlamentar i Partisë Socialiste, propozon këto ndryshime të Rregullores së Kuvendit për të bërë përputhjen e saj të plotë me dispozitat e Kushtetuese dhe me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në relacion.

Projektvendimi parashikon një afat tremujor brenda të cilit Kuvendit duhet të marrë një vendim për kërkesën e prokurorisë për arrestimin e një deputeti, shkruan ‘shqiptarja.com’.

Nëse Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për procedim brenda 3 muajve, atëherë kërkesa konsiderohet e rrezuar nga Kuvendi. Ndërkaq, këto procedura zbatohet njëlloj edhe kur prokurorit kërkon arrestimin, kontrollin personal apo të banesës të ministrit.

15 hapat për arrestimin e deputetit, si bëhet neni 118 i Rregullores së Kuvendit

– Kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg ose në shtëpi, heqjes se lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga Prokurori. Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën.

– Kryetari i Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin si dhe vë në dijeni Kuvendin dhe deputetin.

– Kryetari i Kuvendit pas konsultimit me Këshillin, cakton dy relatorë për çështjen, respektivisht nga shumica dhe opozita parlamentare.

– Deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, i vihet në dispozicion kërkesa dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

– Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin merr fjalën Prokurori, i cili paraqet arsyet e kërkesës drejtuar Kuvendit. Pas paraqitjes së kërkesës, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje Prokurorit.

– Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit, i jep fjalën deputetit ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim. Deputeti dhe ose përfaqësuesi i tij ligjor, ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje deputetit.

– Shqyrtimi i çështjes në Këshill, kryhet nëpërmjet një procedure që i garanton deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, të drejtën për t’u informuar në kohë, për t’u pyetur, për t’u dëgjuar dhe për të bërë pyetje ndaj kërkuesve të autorizimit si dhe për të paraqitur shpjegimet e tij.

– Përpara diskutimit të çështjes kryetari i Kuvendit fton dy relatorët të paraqesin vlerësimin e përgjithshëm mbi çështjen që shqyrtohet. Më pas vijohet me diskutimin në Këshill. Në përfundim të diskutimit, Këshilli, brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Raporti rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim. Raporti i Këshillit u shpërndahet menjëherë deputetëve dhe bëhet publik.

– Si rregull, mbledhja e Këshillit, për pikat 6-8 të këtij neni, zhvillohet me dyer të hapura. Këshilli, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura.

– Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për procedim parashikohet për shqyrtim në seancë plenare jo më parë se një javë, por jo më vonë se dy javë nga paraqitja e raportit të Këshillit.

– Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Koha e debatit, kur çmohet e nevojshme, përcaktohet nga Konferenca e Kryetareve, në përputhje me nenin 48 të kësaj Rregulloreje. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë deputeti ndaj të cilit kërkohet dhënia e autorizimit për procedim për jo më shume se 10 minuta.

– Kuvendi në seancë plenare, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura.

– Kuvendi vendos me votim të hapur për miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim.

– Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për procedim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes se kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrezuar nga Kuvendi.

– Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për procedim për anëtarin e Këshillit të Ministrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat