Pedagogët nisin grevën pa afat, studentët refuzojnë ministren

Shqipëria

Pedagogët nisin grevën pa afat, studentët refuzojnë ministren

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 13:02
Mark Marku

Një përfaqësi me 6 pedagogë të disa fakulteteve u takuan dje me ministren e Arsimit Besa Shahini, në ambientet e ministrisë, nga ku dolën të revoltuar dhe të pakënaqur. Në këto kushte, Asambleja e Pedagogëve të Universitetit të Tiranës ka vendosur të përshkallëzojë aksionin. Kështu, trupa akademike e Fakulteti i Shkencave Sociale ka vendosur të nis grevën mësimore pa afat, deri në rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Nëpërmjet një deklarate ata sqarojnë se pas gjithë situatës, të frymëzuar edhe nga protesta studentore kanë vendosur: “ Të nisim grevën e pedagogëve. T’u bëjmë thirrje asambleve të gjithë fakulteteve të Universitet të Tiranës që të mblidhen sa më parë për të koordinuar veprimet. T’u bëjmë thirrje të gjithë asambleve dhe pedagogëve të universiteteve publike të Shqipërisë që t’i bashkohen grevës së përgjithshme universitare”, thuhet në deklaratën e asamblesë. Vendimin e trupës akademike e kanë mbështetur edhe studentët e këtij fakulteti. Ata kanë deklaruar se do të rishikojnë së bashku me pedagogët mënyrën se si do të bojkotojnë në ditët në vazhdim. Po ashtu sqarojnë se rikthimi në auditorë është një mundësi e cila nuk ekziston më deri në rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë, i cili sipas tyre sjell edhe plotësimin e 8 kërkesave të tyre.

Qëndrimet e pedagogëve pas takimit

Pedagogët e kanë komentuar si një tentativë nga ana e ministres së Arsimit për t’i bindur ata me ‘Paktin për Universitetin’. Ata thanë për “Shekullin”, se e gjithë ky kundërshtim nga anën e tyre për rrëzimin e ligjit ka ardhur pas publikimit të këtij ‘Pakti’, i cili është konsideruar si i papranueshëm. Pedagogët sqarojnë se kërkesat e tyre nuk janë komentuar nga ministrja dhe diskutimi ka përfunduar pa asnjë rezultat. Jani Marka, pedagog në fakultetin e Shkencave të Natyrës, njëkohësisht edhe pjesë e takimit të zhvilluar ditën e djeshme me ministren,  tha për “Shekullin” se nuk morën asnjë përgjigje prej saj.  “Ne shkuam atje me idenë që të merrnim përgjigje, por në vend të kësaj më shumë folëm ne për gjithë kontestimet sesa foli ministrja. Znj.Shahini na shpjegoi ‘Paktin’, ndërtimin e kampusit, bibliotekat digjitale, por nuk i dha përgjigje kërkesave konkrete që ne i kemi parashtruar në kërkesë, pra pjesa e ligjit, VKM-ve, mbështetja e studentëve, tarifat”, tha ai. Më tej pedagogu sqaroi se ministrja beson se ‘Pakti për Universitetin’ është alternativa më e mirë për zgjedhjen e problemeve në universitetet publike. “Ne kemi marrë parasysh edhe se çfarë përmban ky pakt për aq kohë sa kemi reaguar në këtë mënyrë. Ministrja tha që kemi nisur dialog dhe se ky është proces. Ne prisnim përgjigje konkrete, pasi kërkesa tona ishin konkrete dhe me afat. Ministrja nuk i dha përgjigje kërkesave”, sqaroi më tej z.Marka. Po ashtu nënvizoj se ky takim i ka hapur rrugën një grevë të mundshme mësimore të stafeve pedagogjike. “Shkencat Sociale kanë vendosur për grevë, besoj që dhe fakultet e tjera janë drejt kësaj rruge. Kjo i takon asambleve të pedagogëve që të vendosin, kjo është edhe dëshira ime, por varte se si do reagojnë. Kemi kohë dhe fundjavën do presim për të parë vazhdimësinë”, tha ai për “Shekullin”.

Dhruata Shehri: “Pakti” nuk zgjidh kërkesat tona

Pedagogia e departamentit të Gazetarisë, Dhurata Shehri në një prononcim për gazetën “Shekulli” e komentoi si një tentativë jo të duhur prezantimin e ‘Paktit për Universitetin’ nga ministrja Shahini. Sipas pedagoges, asambletë e njohin tashmë “Paktin” dhe ai nuk është një zgjidhje për problemet që ata kanë. “Ministrja nuk po fliste më fëmijë të kopshtit, por me pedagogë të cilët “Paktin” e kanë parë dhe studiuar. Pjesë e “Paktit’ janë dhe disa VKM të cilat kanë dalë më 26 dhjetor. Edhe në kërkesat që ne kemi si takim i asambleve, por edhe sot Senati akademik i Universitet të Tiranës ka vendosur t’i hedh poshtë VKM-të. Si mund të shpjegohet ‘Pakti” apo të jepet si alternativë për kërkesat tona. Një nga problemet që pedagogët kanë shprehur janë këto VKM. Po ashtu një tjetër problem, ku është shprehur sërish Senati Akademik, është fakti që ligji i Arsimit të Lartë ka probleme të rënda dhe duhet të rishikohet. Sa kohë që ne kemi kërkuar shprehjen e vullnetit të qeverisë për rishikimin e shfuqizimit të ligjit dhe hapjen e procedurave, duke u konsultuar me të gjithë aktorët që janë pjesëmarrës për ribërjen e një ligji të ri. Kërkesat janë shumë të qarta dhe ‘pakti’ nuk është zgjoje për kërkesat”, tha znj.Shehri për “Shekullin”. Më tej konfirmoi se ditën e hënë, në orën 17:00 do të mblidhen sërish asambletë e fakulteteve për të vendosur. “Është takimi i koordinatorëve të grupeve për të bërë mbledhjen e asambleve të fakulteteve dhe aty do vendosim për vazhdimësinë. Ne si asamble e Fakultetit të Histori-Filologjisë nuk kemi vendosur ende asgjë”, tha pedagogia.

Takimi me pedagogët, Shahini: Nuk u dakordësuam

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, doli në një konferencë për mediat ku u shpreh në lidhje me takimin që pati ditën e djeshme me disa pedagogë. Shahini theksoi se përfshirja e pedagogëve për zgjidhjen e çështjeve është mënyra më e mirë, por adresa e zgjidhjes shpeshherë është te universiteti dhe jo Ministria e Arsimit. Më tej ajo shtoi se problemet e tyre, gjejnë zgjidhje në ‘Paktin për Universitetin”.  Ministrja tha se ky takim ka shërbyer për të shuar keqkuptimet mes njëri-tjetrit, duke i hapur rrugën një ure të re komunikimi. “Një grup pedagogësh më kanë nisur një letër të diskutimeve që kanë pasur me një grup tjetër më të madh pedagogësh në fakultetet e tyre. Në momentin që letra erdhi në zyrën takime i ftova dhe erdhën në një takim. I përgëzova për përpjekjet që të mbledhin asambletë e pedagogëve. Ata më njoftuan që nuk janë mbledhur asnjëherë këto 3 vitet e fundit. Unë mendoj fuqishëm që të ecim përpara fuqizimi i strukturave demokratike nëpër universitete është mënyra më e mirë për përfshirjen e pedagogëve dhe zgjidhjen e disa çështjeve që me të drejtë nënvizojnë, por që adresa e zgjidhjes nuk është gjithmonë këtu, por shpeshherë tek universiteti”, u shpreh ministrja.  Shahini tha se gjatë takimit ka pasur mendime të ndryshme me pedagogët. Sipas saj takimi shërbeu për të shuar disa keqkuptime që kanë pedagogët me Paktin për Universitetin. “Unë i ftova pedagogët për t’ua shpjeguar dhe ballafaquar me detaje Paktin për Universitetin. Me ta ndamë disa mendime të ndryshme, por ama e bindur se kemi një qëllim të përbashkët që është përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri. Edhe pse nuk u dakordësuam në fund, unë mendoj që kjo është krejt normale. Ishte një takim që gjithsesi shërbeu për të shuar një sërë keqkuptimesh që pedagogët kishin për Paktin për Universitetin”, tha ajo

Shahini braktis takimin me studentët e Shkodrës

Për më shumë se 30 minuta, në një takim me dyer të mbyllura Ministrja e Arsimit, Besa Shahini takoi Senatin e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Një mbledhje që në fokus kishte prezantimin e Paktit për Universitetin, por që hasi zëra kundër të pedagogëve që adresuan kritika ndaj drejtuesve të këtij institucioni të arsimit të lartë. Pedagogët kanë deklaruar se shumë vendime janë marrë nga Rektorati pa u konsultuar me ta. Gjithashtu Ministres i kanë kërkuar që së pari të punojë për të ulur studentët në auditore e të nisë diskutimet dhe jo të vijë me platforma të gatshme. Në një dalje për mediat, Besa Shahini nuk pranoi të komentojë çfarë kishte ndodhur në këtë takim me pedagogët, por tha se po shpejton pasi e prisnin studentët. Në sallën ku studentët e pritën, pasi i përshëndeti, kërkesë të parë pati nxjerrjen jashtë të medias, pasi takimi do të mbahej me dyer të mbyllura. Kjo nuk u prit mirë nga të rinjtë dhe refuzuan që mediat të dalin, pasi në të kundërt do largoheshin edhe ata. Pas kësaj, ministrja ka braktisur takimin duke u larguar bashkë me rektorin. Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” ajo është shprehur se studentët i kishin kërkuar takim dhe sipas saj ishte rënë dakord  me ta që të bëhej pa praninë e mediave. Të kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, studentët thanë se nuk mund të pranonin kushtin e ministres, pasi e kishin lënë që takimin do e zhvillonin në prani të kamerave. “Ministrja nuk pranoi të zhvillonte takim në prani të kamerave. Personalisht i kërkova që bisedën mund ta zhvillonte në këtë mënyrë dhe ajo nuk pranoi, duke u larguar nga dera e pasme e universitetit”, tha Pranvera Paçi. Më tej shtoi se ngujimi në fakultet do të vazhdoj deri në realizimin e plotë të pikave të kërkuara.

Mark Marku: Ministrja u përpoq të na mbush mendjen me “Paktin”

Pas takimit prej dy orësh me ministren e Arsimit, pedagogët kanë dalë mjaft të pakënaqur nga këto ambiente. Pedagogu i Gazetarisë, Mark Marku në një deklaratë për mediat është shprehur se takimi ishte pa rezultat. Sipas tij ministrja nuk ka forcën e duhur për të bërë ndonjë ndryshim. Marku paralajmëron vazhdimin e qëndresës së pedagogëve. “Ne diskutuam për gjendjen në Universitet dhe i qëndruam kërkesave tona, që kemi nxjerrë nga Asambleja. Nuk pati një qëndrim konkret nga ana e ministres, tentoi ta çojë diskutimin drejt një takimi jorezultativ.  Nuk u shpreh gjatë takimit për asnjërën nga kërkesat. Nga ana jonë ne e konsiderojmë si një mungesë përgjigje ndaj kërkesave. Nëse nuk do të ketë një përgjigje prej saj, ne do të mbledhim asambletë dhe do të mbajmë një qëndrim për këtë mos reagim të Ministrisë së Arsimit ndaj kërkesave tona”, tha ai.

Ngritja e grupeve të punës

U diskutua shumë, por nuk u ra dakord, sepse ministrja nuk ka vullnetin për t’iu përgjigjur kërkesave tona. Po ashtu nuk mori asnjë angazhim me shqetësimet tona. Sa i takon vendimit për grevë, duhet të merret nga të gjithë pedagogët. Si fillim do bëjmë takimet. Nëse nuk do të ketë një qëndrim nga ana e ministres do e konsiderojmë si refuzim ndaj kërkesave, duke iu drejtuar trupës akademike për një grevë të përgjithshme. Takimi ishte konstruktiv, qamë hallet. Ne parashtruam arsyet se pse pedagogët kanë arritur deri në këtë pikë. Nuk pranuam të negocionim, pasi nuk jemi të autorizuar nga kolegët. Ne biseduam deri në momentin e fundit për problemet, po nuk patëm zgjidhje. Ministrja u përpoq që të na mbushte mendjen për të mirat që do të sillte ‘Pakti për Universitetin’, gjë që ishte fyese për ne, pasi kuptojmë më shumë se vetë ajo, tha Marku. Kujtojmë që kërkesat e pedagogëve adresuar Ministrisë së Arsimit u vendosën një javë më parë, nga asambletë e fakulteteve. Kërkesat e pedagogëve janë: “Mbështesim protestën e studentëve. 2. Jemi kundër Ligjit për Arsimin e lartë dhe kërkojmë fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë. 3. Anulimin e menjëhershëm të VKM dhe urdhrat e 26.12.2018 4. Rritjen e buxhetit për arsimin e lartë. 5. Ndërprerjen e fushatës denigruese ndaj pedagogeve 6. Deri datë 1 shkurt si afat për plotësimin e kërkesave. Nëse këto nuk plotësohen, ne shpallim bojkot. 7. N.q.s nuk plotësohen kërkesat tona ne do t’i drejtohemi personelit akademik te UT dhe universiteteve te tjera publike për të zhvilluar një greve të përgjithshme të pedagogëve” .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat