Izolimi i bandave në burgje nuk nis para ngritjes së SPAK-ut/ Ja si do të funksionojë

Shqipëria

Izolimi i bandave në burgje nuk nis para ngritjes së SPAK-ut/ Ja si do të funksionojë

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 14:55
Foto Ilustrim

Regjimi i posaçëm për izolimin e krerëve të grupeve kriminale në burgje nuk mund të aplikohet pa ngritjen e prokurorisë së posaçme njohur si SPAK-u. Sipas ligjit etiketuar '41-bis' dhe në Shqipëri njohur si ligji 108/2018 rezulton se autoriteti që propozon izolimin në regjimin pa kontakte me anëtarët e grupeve kriminale jashtë qelisë është drejtuesi i prokurorisë së posaçme dhe më pas miratimi jepet nga ministri drejtësisë.

Në ligjit thuhet “Vendimi për vendosjen e të dënuarit ose të paraburgosurit në regjimin e posaçëm në burgun e sigurisë së lartë merret nga Ministri i Drejtësisë mbi kërkesën e arsyetuar të  Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pas konsultimit me Ministrin e Brendshëm, bazuar në të dhënat/informacionet e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe organeve të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit”. Dy ditë më parë ministrja Gjonaj u shpreh se ka nisur zbatimi i ligjit dhe përgatitja e infrastrukturës që do të asistohet edhe nga partnerët italian.

Por a është gati SPAK?
Prokuroria e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit është një institucion që ende nuk ekziston. Kreu  i këshillit të lartë të prokurorisë Genti Ibrahimi një ditë më parë deklaronte se SPAK që është ende në fazë konstituimi dhe aplikimi do të ngrihet brenda qershorit. Ndërsa interesimit të ReportTv ministria e Drejtësisë ju përgjigj duke deklaruar se aktualisht janë përgatitur qelitë e regjimit të posaçëm pranë burgut 313 do të nisi ndërtimi i atyre pranë 302 si dhe do të përgatitet infrastruktura për protokollet dhe vendosjen e bllokuesve të valëve të telefonave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat