Të gjithë sot kemi nevojë për besën!

Shqipëria

Të gjithë sot kemi nevojë për besën!

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 11:47
OKB

Javën e aktiviteteve të OKB në përkujtim të Holokaustit Alison Smale e mbylli me një aktivitet për Shqipërinë. Ajo theksoi rolin e Shqipërisë në shpëtimin e hebrejve.

Nënsekretarja e Përgjithshme e OKB, thotë se shpëtimi i hebrejve nga shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, "mishëron principet e Deklaratës Universale së të drejtave të njeriut”. Njohja e këtij kapitulli të historisë së Holokaustit, atij të shpëtimit të hebrejve në Shqipëri, është i rëndësishëm për dhënien e shembujve pozitivë, në një kohë kur populizmi, ksenofobia, neonazizmi dhe grupet që nxisin urrejtjen janë në rritje. "Të kuptosh rëndësinë e veprave historike të kryera në mbrojtje të të drejtave të njeriut, si ajo në Shqipëri, është hapi i parë për inkurajimin e mënyrës pozitive të të sjellurit mes njerëzve në ditët e sotme,”thotë Smale, shefe e komunikimit në OKB.

Aktiviteti i organizuar nga Misioni i Përhershëm i Shqipërisë pranë OKB dhe Kongresi Botëror i Hebrejve mblodhi anëtarë të organizatave joqeveritare, përfaqësues shqiptarë të feve në SHBA, përfaqësues të komunitetit hebre, diplomatë dhe anëtarë të diasporës shqiptare.

Image

"Unë jam krenare të nderoj sot trashëgiminë shqiptare dhe të jem pjesë e një kombi, që qëndroi në krahun e duhur të historisë, në momentin e duhur, dhe mori vendimin e duhur,” thotë ambasadorja e Shqipërisë pranë OKB, Besiana Kadare, e cila tregoi faktet historike të shpëtimit të hebrejve në Shqipëri.

Heshtja është krim

Ambasadori Rondal Laudere, president i Kongresit botëror hebre, vlerësoi komunitetin hebre në Shqipëri "që është krenar jo vetëm si komunitet hebre, por edhe si komunitet shqiptar”, si dhe qëndrimin prohebre të qeverisë shqiptare. Ai vlerësoi kurajon e shqiptarëve dhe aftësinë drejtuese, në një kohë kur "të gjithë të tjerët dëgjonin çfarë u thoshin ata që kishin mbi krye”. Ambasadori Laudere vërejti rritjen e antisemitizmit dhe vakumin e lidershipit në botë. Ai e quan indiferencën dhe mosveprimin njëjtë si krimi dhe heshtjen të rrezikshme. "Nazistët bënë krimin më të madh në botë, por pjesa tjetër e botës bashkëpunoi nëpërmjet heshtjes”.

Histori të hebrejve në Shqipëri

Image

Çfarë do të thotë të jesh hebre dhe të kesh shpëtuar në Shqipëri e tregon Anna Kohen, e lindur në Shqipëri në një familje hebreje që gjeti shpëtim në Vlorë. „Ishte një kulturë e tërë në Shqipëri, që i bëri rezistencë Holokaustit dhe shpëtoi të gjithë hebrejtë,” thotë ajo dhe bën thirrje të mos paragjykosh grupe të tëra njerëzish, por të shohësh individin dhe ta respektosh atë.

Majlinda Myrto tregoi historinë e familjes së saj, në shpëtimin e dy hebrejve dhe punën që bën fondacioni që ajo drejton Eye Contact në dokumentimin e shpëtimit të hebrejve në Shqipëri. 

Robert Singer, nga Kongresi botëror i hebrejve, thotë se botës i duhet besa, i duhet një busull morali. "Botës i duhet një kod moral që t'i shohë të huajt si mysafir, në çdo vend të saj.”.DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat