Unaza e Madhe, Meta i kthen përgjigje Ramës: Shtëpia me tjegulla dhe shteti me rregulla

Shqipëria

Unaza e Madhe, Meta i kthen përgjigje Ramës: Shtëpia me tjegulla dhe shteti me rregulla

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 17:49
Edi Rama dhe Ilir Meta

Presidenca i ka kthyer përgjigje akuzave të Edi Ramës në lidhje me qëndrimin e Metës i cili kërkoi anulimin e projektit aktual të Unazës së Madhe të Tiranës.

Përmes një postimi në rrjetin social, zëdhënësi i Presidencës Tedi Blushi, ka shkruar se reagimi i kryeministrit nuk është serioz. Blushi ngre dy pyetje në adresë të Ramës, teksa i kërkon ta informojë nëse qeveria pas konstatimit se i ka dhënë plot 18 mln euro një kompanie fantazëm, a i ka marrë mbrapsht paratë e dhëna sipas kontratës, apo ka rezultuar që edhe kontrata ka qenë false.

“Këto dhe shumë detyra të tjera, ligji ja ngarkon Kryeministrit dhe vartësve të tij që t'i bëjnë.

Shtëpia me tjegulla dhe shteti me rregulla, thotë populli ynë.”-shkruan Blushi.

Më poshtë postimi i plotë i reagimit të Presidencës:

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi pas reagimit aspak serioz të Kryeministrit lidhur me çështjen e projektit të "Unazës së Re" sqaron se:

Në procedurën e tenderimit :

Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta - Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja” - Loti 1 .

Vlera e fondit limit të tenderit të shpallur nga ARRSH për Lotin 1 ka qenë = 2 246 450 297 Lekë OSE 18 116 534 EURO

Vlera e kontratës së lidhur me kompaninë fiktive "DH Albania" = 2 246 450 000 Lekë ose 18 116 532 EURO 

Sigurimi i Kontratës prej 10 % te vlerës së kontratës në shumën = 224 645 000 lekë të reja OSE 1 811 653 EURO 

Sipas "dokrrave ligjore" që kanë përgatitur vartësit e tij, lindin disa pyetje për Kryeministrin :

A ka kërkuar sipas rregullave të prokurimit publik qeveria dhe ARRSH konfiskimin e kësaj vlere (sigurimin e kontratës) për llogari të Shtetit Shqiptar, pasi u faktua se kontratën e kishin lidhur me një kompani fantazëm?

A ka mundur shteti të garantojë interesin publik në këtë rast, duke konfiskuar sigurimin e kontratës, apo edhe ky dokument (sigurimi i kontratës) ka qenë i falsifikuar?!

Këto dhe shumë detyra të tjera, ligji ja ngarkon Kryeministrit dhe vartësve të tij që t'i bëjnë.

Shtëpia me tjegulla dhe shteti me rregulla, thotë populli ynë.

Kujtojmë se këtë të diel Presidenti Ilir Meta takoi një përfaqësi të banorëve të Astirit dhe doli hapur kundër projektit të Unazës së Madhe, me argumentin se ka shkelur kushtetutën dhe ligjet e vendit. Si kundërpërgjigje ndaj këtij pozicioni të Presidentit, Kryeministri Edi Rama e sulmoi përmes një postimi në rrjetin social, duke e konsideruar Metën si liderin e vërtetë të opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat