Basha, në Lezhë: Të bashkohemi më 16 shkurt në Tiranë

Shqipëria

Basha, në Lezhë: Të bashkohemi më 16 shkurt në Tiranë

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 11:13
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike është ndalur në Lezhë këtë të hënë, në një takim me qytetarë dhe tregtarë të këtij qyteti, për t’u interesuar personalisht nga pranë për gjendjen e tyre ekonomike dhe ecurinë e bizneseve të tyre.

Sipas Bashës, çdo ditë mbyllin qepenat 50 biznese për shkak të taksave, ndërkohë që ekonominë e cilësoi në krizë totale, madje theksoi se papuënsia është rritur.

Duke premtuar se demokratët kanë një plan për të ndihmuar biznesin e vogël, ai veçoi faktin se biznesi me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë do të përjashtohet nga TVSH-ja.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme për Bashën, kryeopozitari i ftoi qytetarët të bashkohen të gjithë më 16 shkurt në Tiranë, me thirrjen se ajo është dita kur populli do të marrë në duar fatin e tij.

“Vota e lirë është asgjësuar me kriminelë, Edi Rama është kapur në flagrancë duke vjedhur votën. Juve iu duhet një qeveri që të mendojë për njerëzit, që çmimi i energjisë të ulet me 30-40%, pasi fatura e energjisë është rritur për 100% të shqiptarëve”, tha ndër të tjera Basha.

Sipas Bashës, PD-ja dëshiron të vijë në pushtet me votë, por për këtë, populli duhet të prishë kontratën me këtë qeveri dhe t’i hapë rrugë një qeverie provizore që do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat