3 shkaktarët e problemeve të shëndetit mendor tek adoleshentët shqiptarë

Shqipëria

3 shkaktarët e problemeve të shëndetit mendor tek adoleshentët shqiptarë

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 18:44
Ilustrim

Përdorimi i substancave narkotike, konfliktet brenda familjes dhe bulizmi nga bashkëmoshatarët janë 3 shkaqet kryesore që po shkaktojnë sot probleme në shëndetin mendor të adoleshentët shqiptarë.

Mjekët psikiatër kanë konfirmuar rritjen e numrit të personave që kërkojnë ndihmë pranë qendrave komunitare të shëndetit mendor, ku veçanërisht vihet re një numër i lartë adoleshentësh.

E ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, Ariana Rreli mjeke psikiatre shpjegoi se cilat janë shkaqet kryesore të kësaj rritje.

Shifra 5 mijë nuk është pak megjithëse sot Tirana tashmë është bërë një qytet shumë i madh dhe prurjet kanë sjellë edhe këtë numër të kërkesës së ndihmës. Prindërit janë ata që kërkojnë ndihmë tek ne, por jo rrallë herë edhe nga psikologët e shkollave që i referojnë këta adoleshente në qendrat komunitare të shëndetit mendor për rastet e bulizmit, i cili është fenomen shumë i diskutuar. 

Pra ai lloj presioni qoftë psikologjik apo edhe dhuna fizike brenda ambjenteve të shkollës gjithmonë lë pasoja në shëndetin mendor të adoleshentëve. Pjesa tjetër ka të bëjë me transmetimin e konflikteve brenda familjes tek kjo grupmoshë. Sot familja shqiptare mbart konflikte shumë të mëdha brenda saj. Përdorimi i lëndëve narkotike gjithashtu mbart një pjesë të mirë të sëmundshmërisë. Ne sot vëmë alarmin tek përdorimi i kafeinës, i të gjitha pijeve që përmbajnë stimulantë apo pije energjike, alkooli gjithashtu është një prej shkaktarëve që ngarkojnë sistemin nervor, e jo më pastaj substancat që janë eksitantë të sistemit nervor që shumë shpesj çojnë në rritjen e shanseve për të shkaktuar një problematikë të shëndetit mendor, madje jo rrallë edhe sëmundje të rënda siç është skizofrenia.

Arjana Reli, mjeke psikiatre

Arjana Reli, mjeke psikiatre
Këto 3 shkaqe i konfirmon edhe Valentina Asabella, përgjegjëse e shëndetit mendor pranë Poliklinës nr 3, e cila thekson se një tjetër arsye e rritjes së problemeve të shëndetit mendor tek adoleshentët janë dhe pritshmëritë e larta nga prindërit.

Është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve me probleme të shëndetit mendor. Vitet e fundit në fakt ka një rritje të dukshme. Kryesisht do të vija në dukje rritjen e numrit të adoleshentëve. Shkak kryesor i rritjes së numrit të adoleshentëve me probleme të shëndetit mendor janë problemet e përditshme, kryesisht përdorimi i substancave, traumat në familje, divorcet, ndërrimi i shkollave. Nuk flasim vetëm për depresion, sepse depresioni është diagnozë madhore, por flasim për çregullime të ankthit.Vajzat janë ato që lërkojnë më tepër ndihmë, ndoshta sepse ato janë më të ndjeshme, janë edhe pak më të përgjegjshme për të kërkuar ndihmë për shqetësimet e tyre, por janë edhe më të prekura nga abuzimet. Një tjetër shkak i shtimit të rasteve të problemeve mendore tek adoleshentët është edhe pritshmëria e lartë e prindërve ndaj rezultateve mësimore. Ka edhe raste kur fëmijët nuk pranojnë të vijnë në qendër dhe vijnë prindërit për të kërkuar ndihmë, por shërbimi nuk jepet pa qenë vetë personi, ndaj ne dërgojmë psikologët që të bëjnë punë ndihmëse për ti sjellë ata pranë qendrave.

Valentina Asabell, përgjegjëse e shëndetit mendor, poliklinika nr.3
Nga ana tjetër, psikologët në shkolla, të cilët janë të parët që ballafaqohen me shqetësimet psikologjike që kanë adoleshentët, flasin edhe për tentative vetëvrasje, megjithëse rastet janë sporadike.

Në gjimnazin ku unë punoj, rastet janë sporadike, nuk mund të them që janë të shpeshta, por ka raste të cilat vijnë nga familje me probleme social-ekonomike, me probleme të divorcit të cilat i paraqesin edhe në mjedisin shkollor si për shembull stresi post traumës, simptoma të çregullimit të depresionit. Ka patur raste edhe të tentativave për vetëvrasje të cilat i kemi menxhuar, por nuk janë raste të shpeshta. Në një klasë mesatare kemi të identifikuar 3-4 raste të nxënësve që vijnë me probleme social ekonomike nga mjediset familjare ku jetojnë. Rastet janë shtuar për arsye se problematikat janë shtuar duke filluar nga akumulimi i stresit që nxënësit kanë qoftë edhe nga ngarkesat mësimore, problemet që kanë me bashkemoshatarët, abuzimi me substancat, problemet me divorcin etj.

Elda Oshafi, psikologe, gjimnazi "Andon Zako Çajupi"

Elda Oshafi, psikologe, gjimnazi "Andon Zako Çajupi"
Vetëm pak ditë shifrat e fundit të bëra publike në median online, referuar të dhënave nga ISHP, flasin për 5 mijë adoleshentë me kartelë klinike vetëm në Tiranë. Po sipas këtyre shifrave, vetëm përgjatë 2015-ës rezulton se I janë drejtuar për ndihmë qendrave të shëndetit mendor plot 39 mijë persona në të gjithë vendin (në këto të dhëna nuk janë të përfshirë rastet e shtrimeve në spitalet psikiatrike).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat