Mbrojtja nga stuhitë detare, në qendër të projektit rajonal I-STORMS

Shqipëria

Mbrojtja nga stuhitë detare, në qendër të projektit rajonal I-STORMS

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 11:14
Foto ilustrim

Specialistë nga pesë vende të rajonit Adriatiko-Jonian po sjellin përvojat e tyre dhe po diskutojnë në Durrës mbi përmirësimin e procedurave të mbrojtjes civile, paralajmërimit të hershëm si dhe praktikat për mbrojtjen e kësaj zone nga stuhitë detare.

Takimi i tretë i pjesëmarrësve realizohet në kuadër të projektit “Strategji të Menaxhimit të Integruar të Stuhive Detare” I-STORMS dhe në kuadër të Programit Interreg V-B Adriatic-Ionian Programme (ADRION).

Qyteti bregdetar i Durrësit ka mirëpritur përfaqësuesit e tetë institucioneve nga fusha specifike, si mbrojtja civile, energjia, uji e mjedisi, hidrologjia, hidrometeorologjia, të cilët kanë ardhur nga Italia, Sllovenia, Greqia, Kroacia dhe Shqipëria.

Kryetari i Këshillit të qarkut të Durrësit, Alfred Mullaraj, uroi mirëseardhjen dhe u ndal te rëndësia e këtij projekti për qytetet dhe zonat bregdetare.

Ai theksoi se Këshilli i Qarkut e vlerëson rëndësinë e bashkëpunimit në këtë fushë dhe nënvizoi edhe mbështetjen e shtatë institucioneve të tjera, pjesëmarrës në projekt si partner mbështetës. 

Sipas organizatorëve, shkëmbimi më i mirë i informacionit midis partnerëve dhe grupeve të interesit në zonën Adriatiko-Joniane, do të kontribuojë ndjeshëm në arritjen e objektivave të Projektit për një rajon më të qëndrueshëm dhe të sigurt, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ai do të shërbejë për shpërndarjen e njohurive, të dhënave e parashikimeve si dhe krijimin e strategjive të përbashkëta për t’u përgjigjur ndaj emergjencave të stuhive detare, përmbytjeve dhe stuhive nga baticat.

Përveç institucioneve të specializuara, në grupin e partnerëve të këtij projekti bëjnë pjesë edhe përfaqësues të zonave bregdetare të vendeve pjesëmarrëse, mjaft të interesuara për krijimin e një rrjeti të përbashkët informacioni. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat