Hyn në fuqi ligji i ndryshuar për PPP: Jo të dënuar në tendera publikë

Shqipëria

Hyn në fuqi ligji i ndryshuar për PPP: Jo të dënuar në tendera publikë

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 19:00
Agjencia e Prokurimeve Publike

Të gjithë ata persona që kanë qenë të dënuar me vendim nga gjykata nuk do të mund të marrin pjesë në tendera publikë. Agjencia e Prokurimeve Publike bën me dije se nuk do të pranohet lidhja e kontratave as me përfaqësues apo aksionerë që mund të kenë pasur dënime.

Forcohen kriteret për marrjen pjesë në tenderat publikë. Agjensia e Prokurimeve Publike bën me dije se tashmë kanë hyrë në fuqi ndryshimet e ligjit për prokurimet publike të cilat parashikojnë ndalimin e dhënies së kontratave publike operatorëve ekonomikë që drejtohen nga persona të dënuar me vendim të gjykatës së formës së prerë.

Për këtë kjo agjenci ka njoftuar që më datë 1 shkurt të gjithë operatorët ekonomikë që kanë interes të hyjnë në gara publike. Ligji u miratua nga qeveria në tetor të vitit të kaluar, si pjesë e paketës së ndryshimeve që kanë për qëllim luftën kundër kriminalitetit. Ai parashikon që nga gara përjashtohen edhe aksionerët apo përfaqësues të operatorit ekonomik në rast se rezultojnë të dënuar.

Në këtë mënyrë çdo subjekt që do të jetë ofertues në lidhje me projekte të ndryshme do të duhet të deklarojë nëse ka qenë i dënuar për vepra penale. Në këtë deklaratë duhet të ketë informacion të plotë edhe për çdo person që ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrje ose kontrolluese në subjektin.

Më pas Agjencia e Prokurimeve Publike do të bëjë edhe verifikimin e deklarimeve të bëra në regjistrin elektronik të gjendjes Gjyqësore. Këto ndryshime në ligj vijnë në një kohë që ka pasur debate në lidhje me ofertuesit në tendera publikë. Madje vetëm pak kohë më parë janë anuluar disa kontrata për shkak të shkeljeve të konstatuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat