Xhafaj kundër "rregullores së PS" për Kuvendin: Fokusohuni te deputetët, janë shndërruar në kartona

Shqipëria

Xhafaj kundër "rregullores së PS" për Kuvendin: Fokusohuni te deputetët, janë shndërruar në kartona

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 11:21
Fatmir Xhafaj

Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të propozuara nga Partia Socialiste ka sjellë sërish debate mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve.

Partia Demokratike instiston fort se kjo është një kompetencë e Këshillit të  Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit.

Alibeaj: Miratimi i rregullores bëhet në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve. Kërkoni ta ndryshoni rregulloren në Komision të Ligjeve se keni shumicën e votave. Po kërkoni të ndryshoni rregulloren duke shkelur rregulloren.

Strazimiri: Nuk ndryshohet rregullorja në Komisionin e Ligjeve. Rregullorja ndryshohet vetëm në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve. 

Edhe ish-Ministri i Brendshëm, njëherësh anëtar i Komisionit, Fatmir Xhafaj, shprehu rezervat e tij për ndryshimet e vazhdueshme të kësaj rregulloreje.

Xhafaj vuri theksin se këto ndryshime duhet të bëhen me konsensus të palëve, ndërsa kërkoi që rregullorja duhet të fokusohet te roli i deputetit, të cilët janë shndërruar në kartona në Kuvend.

Xhafaj: Nuk është pozitive që nga 2005 deri 2017 rregullorja është ndryshuar 8 herë. E vlerësoj punën e Hysit për materialin e paraqitur për rregulloren. Bie dakord që të jetë proces konsensual. Propozimet e sjella duhet të sjellin një projekt të qëndrueshëm. Rregullorja dhe ndryshimet nuk fokusohen te roli i deputetëve. Ajo që do doja të shihja në këto ndryshime do ishte roli i deputetit në procesin ligjvënës dhe në raport me zgjedhësin.

Ndryshimet e 2008 e kanë zbehur rolin e deputetit. Janë shndërruar më shumë në kartona sesa persona me identitet. Kjo është gjeja që duhet të na shqetësoje më shumë. Duhet të rregullojmë disa nga ato ndryshime që koha tregoi se ishin të dëmshme. Funksioni kontrollues i legjislativit ndaj ekzekutivit është i dobët dhe duhet parë me vëmendje. E rëndësishme është përmbajtja e projektit dhe jo ku shqyrtohet.

Çfarë propozon PS?

PS ka propozuar ndryshimin e rregullores duke vendosur kushte ndaj prokurorisë. Me rishikimin e nenit 118 hetimi ose arrestimi i deputetit nuk mund të kërkohet pa paraqitur prova bindëse para Keshillit të Legjislacionit dhe Mandateve në Kuvend. Debat ky që u zhvillua dhe në rastin Sajmir Tahiri.

Një tjetër ndryshim favorizon bojkotet e partive, pasi sipas rregullores së re edhe bojkoti konsiderohet si veprimtari parlamentare.

Përsa i përket financimeve , PS kërkon një tjetër formulë shpërndarje të fondeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat