Protesta e 16 shkurtit, Balla: Askush nuk e pengon dot zbatimin e Reformës në Drejtësi

Shqipëria

Protesta e 16 shkurtit, Balla: Askush nuk e pengon dot zbatimin e Reformës në Drejtësi

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 16:45
Taulant Balla

“Opozita kërkon të bllokojë Reformën në Drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë në BE”, deklaroi kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, ndërsa komentoi nga Elbasani ultimatumin që PD-ja i ka dhënë mazhorancës deri në 16 shkurt.

I pyetur nga mediet për protestën e 16 shkurtit, Balla u shpreh se opozita duhet të heqë dorë nga këto ultimatume, që cenojnë rrugën tonë drejt fillimit të bisedimeve për anëtarësimin në BE.

“Të gjithë e dimë që në këtë proces shumë i rëndësishëm është edhe roli që luan opozita. Seanca e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë ishte një seancë tejet normale dhe apeli im është që këtë normalitet duhet ta vijojmë, sepse ne i kemi besuar opozitës dy role të rëndësishme në punën dhe ndërthurjen që ka Kuvendi i Shqipërisë përgjatë procesit të Integrimit Europian”, – u shpreh ai.

Interesit të medieve nëse PS i frikësohet protestës, Balla theksoi se duhet të jetë e qartë që Shqipëria është në një rrugë pa kthim në zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi. “Kush mendon se me protesta, pa protesta, me bojkote, pa bojkote mund të bllokojë implementimin e plotë të Reformës në Drejtësi, krijimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Byrosë Kombëtare të Hetimit, e ka shumë gabim”, tha ai.

Në fund, kryetari i grupit të PS-së Balla kërkoi që opozita të vijë në Parlament dhe të votojë së bashku me mazhorancën paketën e reformës zgjedhore.

“Mirëpresim opozitën që në seancën e ardhshme të miratojë marrëveshjen për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, por që opozita të vijë të votojmë së bashku paketën e reformës zgjedhore. Së fundmi, kemi një kod zgjedhor që adreson më së shumti tërësisht të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, për të tre zgjedhjet e fundit”, tha Balla.  /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat