Erseka me ujësjellës të ri-Rama: I jep fund pas 30 vjetësh torturës për ujin e pijshëm

Shqipëria

Erseka me ujësjellës të ri-Rama: I jep fund pas 30 vjetësh torturës për ujin e pijshëm

Më: 10 shkurt 2019 Në ora: 18:37
Erseka

Qyteti i Ersekës do të furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm, përmes ujësjellësit të ri, punimet për të cilin sapo kanë nisur me një investim rreth 430 milionë lekë.

Kryeministri Edi Rama inspektoi nisjen e punimeve për ujësjellësin e ri.

“Është kurorëzimi i një pune jo të lehtë. Kemi marrë kohën për projektin, për financimin, për garën, për kontratën dhe tani garantimi i ujit 24 orë, plus me rrjedhje të lirë, që do të thotë shpenzime shumë të arsyeshme për ujësjellësin dhe mungesë nevoje për të rënduar më shumë qytetarët për faturën, besoj që është një lajm shumë i mirë”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “i kombinuar me rrugën që tani është plotësuar në gjysmën e saj dhe me segmentin tjetër që do ta kryejmë edhe atë, na japin mundësinë që pastaj gjithë këtë bukuri e gjithë këtë potencial ta vëmë në dispozicion edhe të atyre që duan të investojnë sidomos në agroturizëm”.

Ujësjellësi aktual është ndërtuar në vitin 1957, atëherë kur qyteti kishte vetëm ndërtesa 2-katëshe. Ndërsa zgjerimi i rrjetit shpërndarës të ujit nga viti 1957 deri në vitin 1996 është realizuar bazuar në nevojat emergjente për lidhjen me ujë të godinave të reja të ndërtuara dhe jo mbështetur në një studim për perspektivën e zhvillimit të qytetit.

“Këtu ndërtohet i gjithë sistemi, që nga burimet e ujit, gjithë sistemi i brendshëm i qytetit. Janë rreth 40 kilometra rrjet që shtrihen. Investimi është i parashikuar për 7000 banorë të Ersekës, por dhe për një afat 25 vjeçar që të mos ketë më probleme të kësaj natyre”, – tha inxhinieri i punimeve. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat