Gratë në shkencë

Shqipëria

Gratë në shkencë

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 16:09
Foto

Gratë dhe vajzat në shkencë kanë tanimë ditën e tyre ndërkombëtare në të cilat motivohen dhe nxiten për studime drejt shkencës. Doktorja e Shkencave Mimoza Hafizi thotë se statistikat për gratë në shkencë janë duke ndryshuar për mirë.

Për të katërtin vit radhazi, në mbarë botën 11 shkurti shënohet si Dita Ndërkombëtare e grave dhe vajzave në shkencë.

Në kuadër të kësaj dite, Fondacioni  Henrieta Leavit në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës organizuan një takim për nxitjen e vajzave të reja drejt studimeve në shkencë.

Për doktoren e Shkencave, Mimoza Hafizi, të tilla aktivitete janë të domosdoshme dhe motivuese.

Mimoza Hafizi: Gratë karakterizohen nga përkushtimi por edhe serioziteti, korrektesa por edhe finesa e tyre i jep nuanca shumë me vlerë kërkimit shkencor.

Sipas Hafizit, statistikat për gratë në shkencë janë duke ndryshuar për mirë.

Mimoza Hafizi: Numrat janë rritës. Ka Departamente në Fakultete që numri është i barabartë midis burrave dhe grave. Besoj që ky numër po shkon në sensin pozitiv. Duhet frymëzuar jo vetëm numri i grave por edhe numri i njerëzve që duan shkencën. Kjo vjen me një sistem të mirëorganizuar arsimor.

Sot në botë vetëm 28% e të gjithë kërkuesve shkencorë janë femra, edhe pse mund të ketë edhe përjashtime si rasti i Bolivisë ku ka më shumë shkencëtare femra sesa meshkuj, specifikisht 63% femra dhe 37% meshkuj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat