PD reagon ashpër ndaj njoftimit të policisë për kriminelë në protestë

Shqipëria

PD reagon ashpër ndaj njoftimit të policisë për kriminelë në protestë

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 16:08
Gazment Bardhi

Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të Policisë së Shtetit se kishte informacione sipas të cilave persona me precedentë kriminalë do të merrnin pjesë në protestën e 16 shkurtit.

Në një dalje për mediat nga selia e PD, Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se Rama i rrethuar nga zhgënjimi po përhap panik nëpërmjet policisë për protestën e 16 shkurtit duke planifikuar një skenar kriminal.

“Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi dhe zemërimi i shqiptarëve, Edi Rama i vetmuar shfaqi sot gjithë pasigurinë e tij, kur urdhëroi policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit. Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal”, tha Bardhi.

Bardhi tha se PD garanton qytetarët se nuk do të ketë pjesëmarrje të personave me precedent kriminalë.

“Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit pasi e dinë mirë se kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën në qeveri dhe jo mes protestuesve. 

Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet. Paralajmërojmë policinë e Shtetit të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve, të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre përndryshe secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore. Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi, ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar”, deklaroi Bardhi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat