Gjermania një ndër 7 investitorët më të mëdhenj në Shqipëri

Shqipëria

Gjermania një ndër 7 investitorët më të mëdhenj në Shqipëri

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 07:25
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizoi të martën në mbrëmje në Tiranë, pritjen e përvitshme për të diskutuar mbi aktualitetin ekonomik në Shqipëri me përfaqësues të biznesit dhe politikës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, theksoi se Gjermania është një ndër 3 partnerët strategjikë të Shqipërisë, një nga 7 investitorët më të mëdhenj në vend, me një portofol prej 123 milionë euro dhe për këtë arsye, shteti shqiptar e vlerëson si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me komunitetin gjerman të biznesit. Sipas saj, DIHA po luan një rol të rëndësishëm në forcimin e këtij bashkëpunimi.

Pasi përmendi arritjet e deritanishme, ajo vuri në dukje se Qeveria shqiptare është e angazhuar fuqimisht në përmirësimin e klimës së biznesit në vend, si dhe në mirëpritjen e investitorëve gjermanë në Shqipëri. Rritja e eficiencës së Administratës Tatimore dhe lufta ndaj korrupsionit nëpërmjet reformave në drejtim të konsolidimit fiskal dhe luftës kundër informalitetit, janë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Ajo ftoi investitorët gjermanë të vijnë në Shqipëri, duke ofruar mbështetje maksimale nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ndërsa Ambasadorja Gjermane,  Susanne Schütz, theksoi se, “Shqipëria ka një potencial ende të pashfrytëzuar në shumë fusha, para së gjithash në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme, bujqësisë moderne dhe shërbimeve. Ne shohim tashmë një interes të shtuar të sipërmarrjeve gjermane për Shqipërinë. Jam e sigurt se ky interes do të rritet dhe konkretizohet më tej, dhe aq më tepër që Shqipëria po përgatitet për fazën e ardhshme të Procesit të Integrimit Europian.”

Presidentja e DIHA-s, Stephanie Sieg, në fjalën e saj përmendi faktin se Shqipëria ka hedhur hapa pozitivë në shumë drejtime, por ende mbetet shumë për t`u bërë. Ajo theksoi se është momenti të tregohet veçanërisht kujdes në drejtim të përmirësimit të kushteve në vend, me qëllim që të frenohet vrulli i emigracionit. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat