Shifra shqetësuese, një e treta e shqiptarëve në burg për drogë - Bota Sot
Shifra shqetësuese, një e treta e shqiptarëve në burg për drogë

Shqipëria

Shifra shqetësuese, një e treta e shqiptarëve në burg për drogë

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Shqipëria është një vend ku lajmet nga kronika nuk mungojnë thuajse asnjë ditë, me burrin që vret gruan, të mitur që abuzohen seksualisht, vjedhje, kultivim narkotikësh apo trafikim i paligjshëm i tyre.

Jo më kot, burgjet në Shqipëri janë të mbushura plot. Sipas World Prison Brief  (WPB) një sistem unik të dhënash që ofron akses në informacionin për sistemin e burgjeve në botë, Shqipëria renditet në listën e shteteve që i kanë burgjet e mbushura plot, mbi 100%. Për vendin tonë, niveli i zënies së burgjeve, bazuar në kapacitetin zyrtar, është 105.6%

Nga të dhënat e INSTAT rezulton se në Shqipëri numëroheshin 5418 të burgosur, prej të cilëve 5323 burra dhe 95 gra, në 2017-n. Në krahasim me një vit më parë, numri i të burgosurve ka rënë me gati 9%.

Burgjet në Shqipëri po mbushen me të dënuar për drogën, ndërsa qelitë po lirohen nga vrasësit hajdutët dhe përdhunuesit.

Të dhënat më të detajuara mbi të burgosurit sipas veprave penale, tregojnë se vendin e parë e zënë krimet në lidhje me drogën me 1602 të dënuar, apo rreth një e treta e totalit të të dënuarve në Shqipëri, sipas të dhënave të 2017-s, të fundit të raportuara nga INSTAT. Në krahasim me një vit më parë të dënuarit për këtë vepër penale janë shtuar me 23%. Ndërsa në raport me dy vjet më parë (2015-n), në burgje ka 273 më shumë të dënuar për këtë krim. Në vitin 2016 u bë masiv fenomeni i kultivimit të kanabisit në vend çka rezulton të jetë shoqëruar me një rritje të ndjeshme të numrit të të burgosurve për këtë krim. Në 2014-n ishin hajdutët që kryesonin me 27% të totalit, ndërsa krimet në fushën e drogës ishin të tretat, pas vrasjeve.

Vjedhja ka kaluar si vepra e dytë penale më përhapur në Shqipëri, me rreth 19% e totalit të të burgosurve. Për vitin 2017 numri i të burgosurve për vjedhje ishte  1,046, rreth 80 të burgosur më shumë se një vit më parë.

Vepra e tretë penale me më shumë të burgosur në burgje është vrasja. Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të vrasjeve për 100 mijë banorë. Në 2017-n kishte rreth 992 të burgosur për vrasje, apo  18% e totalit të të burgosurve. Të burgosurit për këtë vepër penale kanë shënuar rënien më të lartë në 2017-n me rreth 478 të burgosur më pak në raport me 2015-n.  Ndërsa në 2018-n u evidentuan 59 autorë të veprës penale të vrasjes me dashje, nga 48 një vit më parë.

Nuk mbeten pas as vrasëset gra, 18 prej të cilave janë ende në burg, nga 24 që ishin dy vjet më parë. Vrasja është krimi më i shpshtë i të burgosurave gra, me gati 20% të totalit, i ndjekur nga krimet në fushën e drogës (16 të dënuara) dhe vjedhjet (12).

Ndërkohë që edhe të burgosurit për plagosje janë përgjysmë nga 204 në 2016-n, në 101 në 2017-n.

Të burgosurit për veprën penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë ishin në nivelin më të lartë në vitin 2015, me 134 të tillë. Por në 2017-n kishin mbetur në burg vetëm 48 persona të dënuar për këtë krim. Ndërsa në 2018-n u regjistruan 114 autorë të veprës penale të krimit seksual.

Në 15 janar të 2017-s për shkak të një amnistie rifituan lirinë 747 të burgosur në të gjithë vendin, çka solli rënien e numrit të të burgosurve në vend.

Veprat penale të mashtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit kanë njohur rritje përgjatë 2017-s. Sipas të dhënave të INSTAT mbi të burgosurit sipas veprave penale të burgosurit për mashtrim janë rritur me 57%, ndërsa të burgosurit për shfrytëzim prostitucioni janë rritur me 34%.

Në rritje ishte dhe dhuna në familje, duke arritur në një nivel rekord të rreth 4200 rasteve, nga të cilat 13 përfunduan me vdekje në 2017-n.

Më herët një raport i Zyrês së Kombeve të Bashkuara kundër drogës dhe krimeve vlerësonte se Shqipëria kishte nivelin më të lartë në Europë të vrasjeve të grave nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë banorë. Pas Shqipërisë, në vend të dytë është Islanda, me 0.6 vrasje për 100 mijë gra, e ndjekur nga Kroacia (0.5), Lituania (0.5), Finlanda (0.4) dhe Zvicra (0.4).

Shqipëria me numrin më të lartë të të burgosurve në rajon

Për vitin 2017, Shqipëria ka numrin më të lartë të të burgosurve për 100 mijë banorë. Sipas të dhënave të mbledhura nga Organizata Prison Studies dhe të publikuara në World Prison Brief, për 100 mijë banorë, numri i të burgosurve në Shqipëri ishte 193. Krahasuar me vendet e rajonit, ky është numri më i lartë.

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, pas Shqipërisë, për numër të lartë të burgosurish, renditet Mali i Zi me 174 të burgosur për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 174 të burgosur për 100 mijë banorë, Maqedonia me 134 të burgosur për 100 mijë banorë.

Numrin më të ulët të të burgosurve në Ballkanin Perëndimor e ka Kosova dhe Bosnjë Hercegovina me përkatësisht 106 dhe 73 të burgosur për 100 mijë banorë.

Edhe Turqia renditet ndër vendet me numër të madh të burgosurish, ku për çdo 100 mijë banorë në 2018-n llogariten rreth 287 të burgosur. Pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi, numri i të burgosurve atje është rritur ndjeshëm.

Numrin më të lartë të të burgosurve në të gjithë botën për vitin 2018 e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku sipas të dhënave të publikuara për 100 mijë banorë kishte 655. Edhe vendet e Amerikës Latine kanë një numër të lartë të burgosurish, ndërsa numrin më të madh e ka Brazili me 323 të burgosur për 100 mijë banorë. Në Azi, numrin më të lartë të të burgosurve për 100 mijë banorë e ka Tajlanda, ku sipas të dhënave në 2018-n kishte rreth 520 të burgosur për 100 mijë banorë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...