Qeveria shton taksat e naftës për konsumatorin

Shqipëria

Qeveria shton taksat e naftës për konsumatorin

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 14:19
Ilustrim

Naftës do t’i shtohet edhe një tjetër taksë. Projektligji i firmosur nga ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, i hap rrugë krijimit dhe menaxhimit të rezervave minimale të sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj nga shteti.

Që prej vitit 2011, përcaktohet se rezerva e sigurisë së naftës duhet të jetë e barabartë me 90 ditë mesatare shitjeje dhe kjo është detyrim i kompanive. Por deri më sot, kjo rezervë nuk ka qenë e plotësuar. Mbajtja e rezervës shërben për raste kolapsi apo kur në treg ka rritje të çmimeve, të cilat garantojnë furnizim pa ndërprerje me naftë për popullatën.

Projektligji i qeverisë synon krijimin e agjencisë përgjegjëse për mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë për naftën bruto dhe nënprodukte të saj. Por mbajtja e rezervës së naftës nga agjencia do të jetë kundrejt një tarife, e cila do të përcaktohet nga qeveria se sa do të jetë vlera e saj. Kjo është tarifa e katërt që shteti vendos për naftën, ku dy tarifa paguhen për markimin, kurse tarifa e tretë është ajo që pritet të vendoset me koncesion për kontrollin e pompave të naftës.

“Kjo tarifë do të jetë pjesë e çmimit të karburanteve, e cila do të paguhet nga shoqëritë e tregtimit me shumicë”, thuhet në draft. Tarifa për naftën nga agjencia do të arkëtohet në dogana, në momentin që tregtarët me shumicë kryejnë importin e karburantit. Por në draft, nga ana tjetër, përcaktohet se agjencia vetë do të kontraktojë operatorë ekonomikë të pajisur me licencë për tregtim me shumicë, pra, grosistët të ruajnë në magazinat e tyre naftën që do të përdoret si rezervë, kjo kundrejt një tarife.

REZERVA

Kompanitë e naftës deri tani nuk e kanë plotësuar detyrimin për mbajtjen e rezervës së sigurisë për karburantin që tregtojnë. Me urdhër të ministrit për vitin 2018, kompanive të tregtimit me shumicë u është kërkuar që rezerva vjetore e naftës bruto, benzinës së makinave, gazoil, solarit, gazit të lëngëzuar të naftës, benzinës për fluturime ajrore të ishte në total në vlerën e 218,370 tonëve. Po si parashikohet të arrihet detyrimi i kësaj kuote nga agjencia shtetërore? “Arritja e këtij objektivi do të realizohet në mënyrë të përshkallëzuar deri në fund të vitit 2022, në mënyrë të tillë që edhe efektet ekonomike që shkakton ky zëvendësim të jenë të pranueshme.

Për këtë qëllim, është parashikuar hartimi i një plani veprimi, i cili do të detajojë mbajtjen e rezervës së sigurisë deri në fund të vitit 2022, ku industria do mbajë 30 ditë mesatare shitjeje, ndërsa agjencia do të ndërtojë në mënyrë graduale pjesën e saj të rezervave. Në këtë mënyrë, do të realizohet një kontroll i plotë mbi rezervën e sigurisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, si një aspekt shumë strategjik i shtetit shqiptar”, thuhet në relacion.

DETYRIMI PËR REZERVËN

Naftë bruto/ 11,903 tonë
Benzinë automjetesh/ 20,706 tonë
Gazoil/ 150,911 tonë
Solar/ 514 tonë
Gaz i lëngëzuar/31,791 tonë
Benzinë për fluturim ajror/ 7 tonë
Lëndë djegëse për fluturim ajror/ 2,538 tonë
Totali i rezervës / 218,370 tonë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat